AKU Durrës bllokon gati 3 tonë produkte për mbrojtjen e bimëve me afate të pasakta ruajtjeje

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar rreth 3 tonë produkte për mbrojtjen e bimëve (PMB) gjatë një kontrolli të zhvilluar në një subjekt tregtar në Durrës, pas konstatimit të shkeljeve në afatet e ruajtjes së produkteve.
Sipas njoftimit zyrtar, Drejtoria Rajonale e AKU Durrës kreu inspektimin në subjektin “Cultiva”, që ushtron aktivitetin e tregtimit me shumicë të PMB-ve, në kuadër të urdhrit për intensifikimin e kontrolleve zyrtare në këtë sektor.
Gjatë verifikimit, inspektorët konstatuan se afatet e ruajtjes së produkteve nuk përputheshin me ato të miratuara nga Ministria e Bujqësisë dhe të përcaktuara në dosjet e regjistrimit të këtyre produkteve.
Si pasojë, AKU vendosi bllokimin e 2,999.6 kilogramëve produkte me afate të pasakta, ndërsa subjekti u urdhërua të tërheqë nga tregu dhe të kthejë në magazinë edhe 6,270.98 kilogramë produkte të shitura, në përputhje me kërkesat për gjurmueshmëri.
Në vijim të procedurave, AKU Durrës ka bashkëpunuar me sektorin e Krimit Ekonomik, ndërsa rasti është referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/