E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pretendoi përfundimin e afatit të paraburgimit, GJKKO lë në burg ish ministrin Lefter Koka

Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e ish ministrit të mjedisit Lefter Koka për lirim nga qelia. Vendimi u dha nga gjyqtari Erjon Bani, i cili nuk mori parasysh kërkesën e Kokës për shuarje të masës me pretendimet se ka kaluar afati 3 vjeçar i paraburgimit për inceneratorin e Fierit.

Kërkesa u depozitua në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku mbrojtja e Kokës kërkoi shuarjen e masës së sigurisë, duke u bazuar në nenin 263 pika 6/c të Kodit të Procedurës Penale.

Koka u arrestua në dhjetor të vitit 2021 për aferën e inceneratorit të Elbasanit, nën akuzat për shpërdorim detyre, pastrim parash dhe korrupsion. Në vitin 2023 ai u dënua me 5 vite e 8 muaj burg, por në korrik 2025 Gjykata e Durrësit i njohu të drejtën e lirimit me kusht. Sipas vendimit, ai duhet të mbajë kontakte të rregullta me shërbimin e provës dhe të mos kryejë vepra penale gjatë periudhës së mbetur të dënimit.

Në lidhje me inceneratorin e Fierit, Koka u dënua më 23 shtator 2023 me 10 vite burg, por në dhjetor 2024 Apeli i GJKKO vendosi që dosja të rikthehet për rigjykim në shkallën e parë. Më 21 tetor 2025, Gjykata e Lartë vendosi që kjo çështje të shqyrtohet nga Apeli i GJKKO.

Ndërkohë, për çështjen e inceneratorit të Tiranës, më 16 prill 2025, ai u dënua me 3 vite burg nga GJKKO – një vit më pak se kërkesa e Prokurorisë së Posaçme – por ky vendim ende nuk ka marrë formë të prerë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›