E Hënë, 2 Nëntor 2026

AMA masë administrative 13 OSHMA-ve për nxitje të dhunës në raportim

TIRANË, 7 tetor /ATSH/ Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) ka vendosur masën administrative “Tërheqje vëmendje” për 13 Operatorë të Shërbimeve Mediatike Audiovizive (OSHMA), për shkelje të dispozitave ligjore që ndalojnë nxitjen e dhunës në transmetimet publike.

Sipas njoftimit zyrtar të AMA-s, në dy ditët e fundit, në disa kronika dhe raportime të transmetuara lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë, ku u vra gjykatësi Astrit Kalaja, janë përfshirë deklarata të një të afërmi të autorit të krimit, të cilat përmbanin gjuhë hakmarrëse, nxitje dhune dhe vetëgjyqësie.

AMA e konsideron krijimin e hapësirave televizive për qëndrime të tilla si shkelje të rënda, që nuk kanë lidhje me pluralizmin mediatik apo lirinë e shprehjes. Sipas ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe Kodit të Transmetimit, ndalohet përdorimi i gjuhës që nxit, promovon ose justifikon dhunën mes shtetasve.

“Dhuna sjell dhunë! Mediat kanë detyrimin të informojnë publikun me profesionalizëm dhe etikë, pa u kthyer në platformë për retorikë të dhunshme apo hakmarrëse”, thuhet në deklaratën e AMA-s.

Autoriteti njofton se do të vazhdojë monitorimin e përmbajtjeve të transmetuara, dhe paralajmëron se në rast të mosreflektimit nga OSHMA-të, do të vijojë me masa më të ashpra, përfshirë procedime me gjobë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

/e.xh//r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›