E Hënë, 2 Nëntor 2026

ANALIZË – A ka rrezikuar Netanyahu duke shenjestruar udhëheqësit e Hamasit në Katar?

TEL AVIV, 13 shtator /ATSH/- Kur kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu urdhëroi këtë javë vrasjen e udhëheqësve të Hamasit në Katar, ai mori një rrezik të madh në fushatën e tij për ta goditur grupin, sipas AP.

Me shenjat në rritje se misioni dështoi, ky rrezik duket se ka pasur efekt të kundërt.

Netanyahu shpresonte të vriste udhëheqësit e lartë të Hamasit në mërgim për t’iu afruar vizionit të tij të “fitores totale” kundër grupit militant që sulmoi Izraelin më 7 tetor 2023 dhe për ta detyruar atë të dorëzohej – pas gati dy vitesh lufte në Rripin e Gazës.

Në vend të kësaj, Hamasi pretendon se udhëheqësit e tij mbijetuan dhe statusi global i Netanyahut, tashmë i dëmtuar rëndë nga skenat e shkatërrimit dhe katastrofës humanitare në Gazë, pësoi një tjetër goditje.

Sulmi ajror i së martës ka zemëruar Katarin, një aleat me ndikim të SHBA-së, që ka qenë një ndërmjetës kyç gjatë gjithë luftës dhe ka tërhequr kritika të ashpra në botën arabe.

Ai gjithashtu ka tensionuar marrëdhëniet me Shtëpinë e Bardhë dhe ka hedhur shpresat për arritjen e një armëpushimi në kaos, duke rrezikuar potencialisht 20 pengjet që besohet se janë ende gjallë në Gazë.

Por, ndërsa sulmi shënon një pengesë për Netanyahun, udhëheqësi izraelit nuk po tregon shenja tërheqjeje ose ndalimi të luftës.

Me koalicionin e tij “të linjës së ashpër” që ende e mbështet fort, Netanyahu nuk përballet me ndonjë kërcënim të menjëhershëm për postin e tij.

Shpresa e Netanyahut për një ‘imazh fitoreje’ për qeverinë e tij

Pesë anëtarë të nivelit të ulët të Hamasit dhe një roje sigurie nga Katari u vranë gjatë sulmit.

Por Hamasi tha se objektivi i synuar – udhëheqës të lartë në mërgim – që takoheshin për të diskutuar propozimin e SHBA-së për armëpushimin, mbijetuan të gjithë.

Grupi, megjithatë, nuk ka publikuar asnjë foto të udhëheqësve dhe Katari nuk ka komentuar mbi kushtet e tyre.

“Nëse sulmi ajror do të kishte vrarë udhëheqjen e lartë, sulmi mund t’i kishte dhënë Netanyahut një mundësi për të deklaruar shkatërrimin e Hamasit”, tha Harel Chorev, një ekspert për çështjet arabe në Universitetin e Tel Avivit.

Ofensiva e ashpër 23-mujore e Izraelit në Gazë ka zhdukur të gjithë udhëheqjen e lartë të Hamasit brenda territorit.

Por, Netanyahu kërkon të eleminojë grupin si pjesë e qëllimit të tij për “fitore totale”.

Kjo tani duket gjithnjë e më e pamundur, duke e bërë edhe më të vështirë për Netanyahun të nxisë një armëpushim përmes koalicionit të tij të “linjës së ashpër”.

Anëtarët e ekstremit të djathtë të koalicionit qeverisës të Izraelit kanë kërcënuar Netanyahun, se do të rrëzojnë qeverinë e tij nëse Izraeli nuk vazhdon me një operacion të zgjeruar në Qytetin e Gazës, pavarësisht dyshimeve nga shumë drejtues ushtarak dhe kundërshtimit të gjerë midis publikut të Izraelit.

Një operacion i suksesshëm në Katar mund t’i kishte lejuar Netanyahut të qetësonte mbështetësit e “linjës së ashpër”, edhe pse do të kishte eliminuar pikërisht zyrtarët përgjegjës për negocimin e një armëpushimi të mundshëm.

Marrëdhënie të tendosura me SHBA-në

Netanyahu, i cili ka marrë mbështetje të palëkundur nga SHBA-ja që kur presidenti Donald Trump u rikthye në detyrë, duket se ka tendosur marrëdhëniet me aleatin e tij më të rëndësishëm.

Trump tha se ishte “shumë i pakënaqur” me sulmin ajror dhe i siguroi katarianët se një sulm i tillë nuk do të ndodhte sërish.

Megjithatë, Trump nuk ka thënë nëse do të ndërmarrë ndonjë veprim ndëshkues kundër Izraelit apo nëse do të bënte presion mbi Netanyahun për të ndaluar luftën.

Ndërkohë, Netanyahu mbetet i palëkundur dhe kërcënoi me veprime shtesë nëse Katari vazhdonte të strehote udhëheqjen e Hamasit.

E ardhmja politike e Netanyahut e pa kërcënuar

Nëse udhëheqësit e Hamasit mbijetojnë dhe negociatat dështojnë, Netanyahu do të humbasë mbështetjen e gati dy të tretave të publikut izraelit – që duan fundin e luftës dhe një marrëveshje për të sjellë pengjet në shtëpi.

Por, ky kundërshtim ka qenë në vend për muaj të tërë, me pak ndikim tek Netanyahu.

“E ardhmja e Netanyahut në afat të shkurtër nuk varet nga publiku izraelit,” tha Yohanan Plesner, president i Institutit të Demokracisë së Izraelit, një grup mendimtarësh në Jerusalem.

Në vend të kësaj, mbijetesa e tij politike varet nga koalicioni i tij qeverisës, shumë prej të cilëve kanë shprehur mbështetje të plotë.

Kjo ka shkaktuar panik dhe më shumë vuajtje për familjet e pengjeve që mbahen ende në Gazë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›