ANALIZË – Fundi i luftës midis Izraelit dhe Iranit, centralet bërthamore do të zhduken

HAGË, 25 qershor /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha sot se pret që bisedimet me Iranin të zhvillohen javën e ardhshme, pas asaj që ai e quajti fundin e luftës midis Izraelit dhe Iranit dhe zhdukjen totale të objekteve bërthamore të Iranit pas sulmeve ajrore amerikane.
Duke folur në samitin e NATO-s sot në Hagë, Trump tha se Izraeli dhe Irani kishin “luftuar një luftë të tmerrshme” dhe se e gjithë kjo kishte përfunduar pasi forcat amerikane sulmuan vendet bërthamore iraniane, fundjavën e kaluar.
Trump shprehu zemërim ndaj medieve amerikane që citonin zyrtarë të inteligjencës që sugjeronin se sulmet mund të mos kishin dëmtuar programin bërthamor iranian – në masën që pretendonte Uashingtoni.
“Mendoj se ishte një zhdukje totale”, tha ai, duke shtuar se nuk pajtohej me pretendimet se Irani e kishte zhvendosur uraniumin e pasuruar përpara sulmeve amerikane.
“Unë besoj se ata nuk kishin mundësi të nxirrnin asgjë, sepse ne vepruam shpejt”, tha Trump.
Në konferencën përmbyllëse të samitit, ai tha se materialet bërthamore ndoshta kishin qenë të mbuluara me granit, beton dhe çelik – për shkak të shpërthimeve.
Vlerësimet e dëmeve
Në 24 orët e fundit ka patur një mori informacionesh të ndryshme në lidhje me ndikimin aktual të sulmeve ambicioze të SHBA-së në tre objektet bërthamore në Isfahan, Natanz dhe Fordow, dhe efektin e përgjithshëm në programin bërthamor të Iranit.
Një vlerësim fillestar i inteligjencës sugjeroi se bombardimi e kishte kthyer programin bërthamor të Iranit disa muaj prapa, raportuan dje “New York Times”, “Washington Post” dhe “CNN” – duke cituar disa zyrtarë.
Menjëherë më pas, Trump i kritikoi raportet e medias – duke i quajtur lajme të rreme dhe duke shtuar se programi bërthamor i Iranit ishte kthyer disa dekada prapa.
Ushtria izraelite tha sot se besonte se sulmet e kishin kthyer programin bërthamor iranian me vite prapa – por ishte shumë herët që ushtria ta konfirmonte këtë.
“Sipas një vlerësimi aktual ushtarak, programi bërthamor i Iranit është dëmtuar rëndë”, tha zëdhënësi ushtarak, Effie Defrin.
Diplomacia
Pavarësisht numrit të lartë të viktimave dhe pyetjeve të vazhdueshme në lidhje me efektivitetin e operacionit, Trump përsëriti se bisedimet me Iranin ishin të afërta.
“Do të flasim me ta javën tjetër”, tha ai, duke shtuar se të dy vendet mund të nënshkruanin një marrëveshje.
“Nuk më intereson nëse kam një marrëveshje apo jo. E vetmja gjë që do të kërkonim është ajo që kërkuam më parë. Ne nuk duam armë bërthamore. Por, ne e shkatërruam programin bërthamor”, tha Trump.
Tensionet janë rritur që nga 13 qershori, kur Izraeli nisi një bombardim në shkallë të gjerë të infrastrukturës ushtarake dhe bërthamore në Iran, duke vrarë disa zyrtarë të lartë.
Në përgjigje, Irani kreu sulme të drejtpërdrejta me raketa në territorin izraelit. Fundjavën e kaluar, Trump urdhëroi një sulm të SHBA-së ndaj objektivave bërthamore iraniane.
Izraeli dhe Irani ranë dakord për një armëpushim që hyri dje në fuqi. //a.i/