E Hënë, 2 Nëntor 2026

ARGJENTINË – Presidenti Milei sulmohet me gurë në një takim elektoral

BUENOS AIRES, 28 gusht /ATSH-DPA/ – Presidenti argjentinas, Javier Milei u shpëtoi gurëve të hedhur ndaj tij gjatë një takimi elektoral pranë Buenos Airesit, tha zëdhënësi i tij.

”Milei u dërgua i sigurt në Lomas de Zamora, një periferi e varfër e kryeqytetit”, tha zëdhënësi, Manuel Adorni në X.

Mediat lokale raportuan për përleshje midis mbështetësve dhe kundërshtarëve të udhëheqësit liberal, me policinë që ndaloi për pak kohë dy persona.

Disa zyrtarë qeveritarë fajësuan sulmin ndaj ndjekësve të “kirchnerizmit” apo kampit politik të ish-presidentes Cristina Fernandez de Kirchner.

Milei më vonë postoi një foto në X të tij duke buzëqeshur me motrën dhe sekretaren e përgjithshme të presidencës, Karina Milei si edhe ligjvënësin Jose Luis Espert.

Incidenti vjen ndërsa Milei bën fushatë për partinë e tij ”La Libertad Avanza”, përpara zgjedhjeve lokale të 7 shtatorit në provincën e Buenos Airesit.

Konfrontime shpërthyen gjithashtu të hënën në një tubim tjetër në Junin, përpara se Milei të mund të fliste.

Milei e ka polarizuar Argjentinën me masa të thella shtrënguese që synojnë uljen e borxhit dhe frenimin e inflacionit.

Ndërsa inflacioni është lehtësuar dhe buxheti është balancuar, shumë njerëz kanë humbur vendet e punës dhe subvencionet për energjinë dhe transportin publik janë shkurtuar.

Administrata e tij është gjithashtu e tronditur nga një skandal korrupsioni që përfshin një kompani farmaceutike që dyshohet se ka paguar ryshfete për të siguruar kontrata shumë milionë dollarëshe nga agjencia përgjegjëse për kujdesin ndaj personave me aftësi të kufizuara.

Motra e Mileit, Karina, e konsideruar si ndërmjetësja kryesore e pushtetit në qeveri, thuhet gjithashtu se është e përfshirë.

Skandali ka bërë që vlerësimet për presidentin të bien ndjeshëm./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›