BRUKSEL – Von der Leyen dhe Kos dënojnë sulmin rus në Kiev

BRUKSEL, 28 gusht /ATSH-ANSA/ – Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen dhe komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos dënuan ashpër në X sulmin rus në Kiev, ku humbën jetën tetë persona.
“Një tjetër natë bombardimesh të pandërprera nga Rusia ka goditur infrastrukturën civile dhe ka vrarë njerëz të pafajshëm. Gjithashtu ka goditur delegacionin tonë të BE-së në Kiev. Stafi i delegacionit tonë është i sigurt. Rusia duhet të ndërpresë menjëherë sulmet e saj të padallueshme ndaj infrastrukturës civile dhe t’u bashkohet negociatave për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, shkroi Ursula von der Leyen në X.
“Delegacioni i BE-së në Kiev është dëmtuar nga sulmet e sotme ruse në zonat civile. I dënoj fuqimisht këto sulme brutale, një sinjal i qartë se Rusia refuzon paqen dhe zgjedh terrorin. Solidariteti ynë i plotë shkon për stafin e BE-së, familjet e tyre dhe të gjithë ukrainasit që po vuajnë nga ky agresion”, shkroi nga ana e saj Marta Kos.
Të paktën 15 persona u vranë në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, pas sulmeve të përsëritura me raketa dhe dronë rusë.
Midis të vdekurve ishin edhe katër fëmijë.
”Rreth 40 persona të tjerë u plagosën, përfshirë disa fëmijë”, raportoi ”Kyiv Independent” duke cituar kryetarin e bashkisë Vitali Klitschko.
Midis të plagosurve, 30 u shtruan në spital.
“Këto raketa dhe dronë sulmi rusë sot janë një përgjigje e qartë për të gjithë në botë që, për javë dhe muaj, kanë bërë thirrje për armëpushim dhe për diplomaci të vërtetë”, tha Zelensky.
“Rusia zgjedh balistikën në vend të tryezës së negociatave. Ajo zgjedh të vazhdojë të vrasë në vend që t’i japë fund luftës”, shtoi ai./ a.jor.