E Hënë, 2 Nëntor 2026

NJU JORK – Këshilli i Sigurimit i OKB-së: Të shqetësuar për urinë në Gaza

NJU JORK, 28 gusht /ATSH-DPA/ – Të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përveç Shteteve të Bashkuara, thanë se uria në Rripin e Gazës është një “krizë e shkaktuar nga njeriu”, duke paralajmëruar se përdorimi i urisë si armë lufte është kundër ligjit ndërkombëtar humanitar.

Katërmbëdhjetë anëtarë të KS-së shprehën “alarm dhe shqetësim të thellë” ndaj një raporti të së premtes nga autoriteti ndërkombëtar përgjegjës për monitorimin e sigurisë ushqimore, IPC, duke konfirmuar për herë të parë shpalljen e zisë së bukës në një zonë të territoreve palestineze.

”Raporti konfirmon qartë dhe pa mëdyshje urinë në Gaza”, thanë përfaqësuesit e 14 vendeve në një deklaratë të përbashkët.

“Kjo është hera e parë që uria konfirmohet zyrtarisht në rajonin e Lindjes së Mesme”, vazhdoi deklarata, e dhënë nga ambasadorja e Guajanës në OKB, Trishala Simantini Persaud.

Katërmbëdhjete anëtarët, përfshirë Kinën, Rusinë dhe Britaninë e Madhe, gjithashtu kërkuan përpjekje më të mëdha për të luftuar krizën në Gaza.

Zëvendëskoordinatorja e Ndihmës Emergjente e OKB-së, Joyce Msuya, tha se më shumë se gjysmë milioni njerëz nga dy milionë banorët e Rripit të Gazës janë të kërcënuar në mënyrë akute nga uria dhe vdekja dhe kjo shifër mund të rritet në 640 000 deri në fund të shtatorit./   /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›