E Hënë, 2 Nëntor 2026

ASHK: Në Saravë nis regjistrimi fillestar i pasurive të paluajtshme

TIRANË, 25 tetor /ATSH/ Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) ka nisur procesin e regjistrimit fillestar të pasurive të paluajtshme, në Saravë të Lushnjës, në zonën kadastrale 8573.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ASHK njoftoi se “specialistët tanë po kryejnë evidentimin në terren të çdo parcele dhe po mbledhin dokumentacionin ekzistues që vërteton pronësinë e çdo banori, me qëllim krijimin e Regjistrit Kadastral”.

Sipas ASHK-së, përfundimi i këtij procesi do t’u mundësojë banorëve të aplikojnë për t’u pajisur me dokumentacionin e plotë të pronësisë.

“Përdorim teknologji bashkëkohore, për të garantuar saktësi dhe cilësi maksimale në të dhënat që do të regjistrohen”, njoftoi Kadastra Shqiptare.

ASHK falënderoi banorët e Saravës dhe Bashkinë Lushnje për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e treguar gjatë zhvillimit të këtij procesi të rëndësishëm.

Pas përfundimit të këtij procesi, të gjithë banorët do të kenë mundësinë të aplikojnë për regjistrimin dhe certifikimin e pronës së tyre në portalin zyrtar e-Albania, duke përfituar nga një procedurë e thjeshtuar, digjitale dhe transparente.

Prej muajit gusht të këtij viti ka nisur regjistrimi fillestar i pasurive të paluajtshme, për të krijuar Regjistrin Kadastral në zonat rurale, ku deri më sot nuk është kryer më parë ky proces.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›