ASHK legalizon brenda një viti 28 pallate në Tiranë, si veprohet për të marrë certifikatën e pronësisë

TIRANË, 24 tetor /ATSH/ Përgjatë një viti, nga tetori 2024 e deri në tetor 2025, Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka legalizuar 28 pallate në Tiranë, duke i hapur rrugë banorëve të pajisen më në fund me certifikatë pronësie.
Sipas njoftimit të ASHK-së, në këto pallate janë afërsisht rreth 3 mijë njësi (apartamente, dyqane, garazhe e ambiente të tjera), të cilat më në fund do të jenë pjesë e qarkullimit civil dhe pronarët e tyre mund t’i shesin, dhurojnë, trashëgojnë apo t’i përdorin si garanci për kredi hipotekore pranë bankave të nivelit të dytë.
Përveç të tjerash, të gjitha këto prona këtej e tutje do të kenë një vlerë më lartë në treg.
AKSH bën të ditur se, qeveria u jep mundësi banorëve të pallateve në shkelje të lejes së ndërtimit që, në mungesë të veprimit të investitorit, të marrin vetë iniciativën për përfundimin e legalizimit, duke plotësuar dokumentacionin për njësinë që posedojnë, duke bashkëpunuar me ASHK-në për përmbylljen ligjore të procesit.
Më konkretisht, kur investitori nuk ka përmbushur detyrimet ligjore, banorët duhet të ndjekin këto hapa për të vijuar procedurat e legalizimit në emër të tyre:
– Të përfaqësohen nga administratori ose një përfaqësues me prokurë, për koordinimin e procesit të dokumentacionit teknik dhe juridik për gjithë objektin.
– Të dorëzojnë dokumentacionin bazë, që përfshin:
Kopje të dokumentit të identifikimit (ID/pasaportë);
Kontrata e sipërmarrjes/porosisë, apo çdo kontratë tjetër e lidhur me ndërtuesin/investitorin;
– Të dorëzojnë dokumentet e përbashkëta për objektin, si: aktekspertiza e ndërtimit.
– Të bashkëpunojnë me specialistët e ASHK-së gjatë matjeve dhe evidentimeve në terren, për përcaktimin e saktë të sipërfaqeve dhe kufijve të çdo njësie.
– Të paguajnë tarifat përkatëse për legalizimin, sipas përllogaritjeve që kryhen nga ASHK pas verifikimit teknik dhe ligjor të objektit.
– Të marrin vendimin individual të legalizimit për çdo njësi banimi apo shërbimi.
Pas miratimit të vendimit, banorët duhet të vijojnë me regjistrimin përfundimtar të pronësisë në Regjistrin e Pasurive të Paluajtshme, ne portalin unik qeveritar “e-Albania”.
1 nga 3/j.p/r.e/