E Hënë, 2 Nëntor 2026

Muçaj: Kontroll i çdo faze të ndërtimit, raportim në kohë për çdo shkelje të lejes

TIRANË, 24 tetor /ATSH/ Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj deklaroi sot se aktet normative për punimet e ndërtimit kanë si synim përmirësimin e problematikave që lidhen me ndërtimet e paligjshme dhe rritjen e efektivitetit të kontrollit në territor.

Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike zhvilloi sot seancë dëgjimore me Muçajn në lidhje me 3 akte normative që janë: shtesat në ligjin “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, ndryshimet në ligjin “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, si dhe ndryshimet në ligjin “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”.

Sipas zv.ministres Muçaj, përmes aktit normativ për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit përcaktohen më qartë funksionet e institucioneve ligjzbatuese në fushën e kontrollit dhe monitorimit të punimeve ndërtimore, si dhe evidentohen mekanizmat që mungojnë ose duhet të optimizohen në funksion të interesit publik.

“Ndryshimet që paraqesim sot synojnë sigurimin e garancisë së zbatimit të projektit përmes arkitektit, i cili do të ketë detyra shtesë në kontrollin e çdo faze të ndërtimit dhe raportimin në kohë ndaj institucioneve për çdo shkelje të mundshme nga leja e ndërtimit”, u shpreh Muçaj.

Ajo shtoi se do të zbatohen shtatë faza të kontrollit dhe monitorimit për njoftimin paraprak të shkeljeve të evidentuara gjatë procesit të ndërtimit, si dhe katër mekanizma të detyrueshëm kontrolli, që do të garantojnë ndjekjen e procedurave ligjore dhe teknike.

Në përfundim të ndërtimit, pas verifikimeve dhe kontrolleve të plota, objektet do të pajisen me një certifikatë përdorimi, e cila do të shërbejë si dokument sigurie për lidhjen e kontratave të ujit dhe energjisë elektrike.

“Certifikata e pronësisë do të mundësojë parandalimin e shkeljeve të ligjit në çdo fazë të procesit ndërtimor”, theksoi zëvendësministrja, duke shtuar se qëllimi kryesor i ndryshimeve është mbrojtja e qytetarëve dhe zhvillimi i qëndrueshëm urban në vend.

Gjatë raportimit në Kuvend, Muçaj u ndal edhe në aktin normativ “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin ‘Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit'”.

Muçaj, deklaroi se ky akt, vjen si pjesë plotësuese e aktit të parë, duke synuar jo vetëm forcimin ligjor, por edhe atë institucional në fushën e ndërtimit dhe zhvillimit të territorit.

Sipas Muçajt, ky akt parashikon kompetenca të shtuara për Sekretariatin Teknik të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe të Ujit, me qëllim forcimin e rolit të tij në kontrollin, verifikimin dhe mbikëqyrjen e punimeve ndërtimore në të gjithë territorin.

Një ndër risitë e rëndësishme të këtij akti është inventarizimi i hapësirave publike në vend, duke mundësuar zhvillimin dhe ndërtimin e tyre mbi bazën e një rregullimi të ri ligjor që garanton transparencë dhe përdorim në funksion të interesit publik.

“Ky akt parashikon krijimin e një regjistri kombëtar elektronik të lejeve të zhvillimit dhe ndërtimit, duke mundësuar ndërveprim në kohë reale mes institucioneve që lëshojnë lejet dhe atyre që monitorojnë proceset ndërtimore”, u shpreh zëvendësministrja.

Sipas saj, përmes këtij sistemi elektronik do të sigurohet gjurmueshmëri e plotë në çdo fazë të ndërtimit, duke lejuar raportimin online të kontrolleve dhe inspektimeve.

Muçaj nënvizoi gjithashtu se monitorimi i ndërtimit do të realizohet edhe përmes teknologjive të avancuara, si GPS dhe dronë, për të garantuar një mbikëqyrje më efektive në terren.

Një tjetër risi e parashikuar në akt është krijimi i “fondit të gjelbër”, ku çdo subjekt ndërtues do të ketë detyrimin të mbjellë pemë në raport me sipërfaqen e ndërtimit, si pjesë e kontributit social dhe mjedisor që duhet të kenë bizneset ndërtuese.

Në kuadër të përmirësimit të transparencës do të kryhet regjistrimi i lejeve të ndërtimit në sistemin e Kadastrës, si dhe njoftimi i Dhomës së Noterëve, për të siguruar koordinim më të mirë në transaksionet e pronësisë.

Akti parashikon gjithashtu përfshirjen e hapësirave për fëmijë në zonat rezidenciale, si dhe forcimin e masave ndëshkuese ndaj punonjësve të administratës publike që përfshihen në ndërtimet e paligjshme.

Gjithashtu, subjektet ndërtuese do të kenë detyrimin të pastrojnë dhe riparojnë ambientet e dëmtuara nga ndërtimet e paligjshme, si pjesë e përgjegjësisë sociale dhe ligjore të tyre.

“Ky akt është një hap i rëndësishëm drejt një modeli më të qëndrueshëm të zhvillimit urban, ku ligji, transparenca dhe përgjegjshmëria janë në qendër të procesit ndërtimor”, përfundoi Muçaj.

Gjatë shqyrtimit të këtyre akteve deputeti i opozitës Oert Bylykbashi shprehu shqetësimin e tij lidhur me aktin normativ për ndërtimet dhe zhvillimin e territorit, duke vënë në dyshim nevojën dhe urgjencën e miratimit të tij.

“Nevojën e kuptojmë, por urgjencën nuk e shohim të arsyetuar, sepse me këto akte Kuvendi zhvishet nga kompetenca e tij bazuar mbi këtë vlerësim”, tha Bylykbashi.

Ai theksoi se aktet normative në këtë formë mund të çojnë në qeverisje me akte ligjore, gjë që është antikushtetuese, dhe se në raport me Kodin Civil krijohen norma që mund të zhveshin individët nga të drejtat e tyre.

“Po futet koncepti se mund të kesh pronë, por nuk ke të drejtë zhvillimi, dhe me normat e reja të propozuara, bashkëpronësitë do të vendosen sipas Kodit Civil, por jo sipas rregullave të qarta”, shpjegoi Bylykbashi.

Ai tha se regjistrimi i hapësirave si publike mund të krijojë paqartësi normative, duke cenuar sigurinë juridike dhe të drejtën e pronës. “Po flasim për të drejtat e atyre që e kanë pronën dhe nuk arrijnë të ushtrojnë të drejtën për zhvillim, por edhe për ata që mund t’iu merret prona si pronë publike”, përfundoi Bylykbashi. /j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›