E Hënë, 2 Nëntor 2026

Aeroporti i Mynihut mbyllet për disa orë për shkak të pranisë së dronëve, anulohen 17 fluturime

Aeroporti gjerman i Mynihut u detyrua të mbyllej për disa orë për shkak të pranisë së dronëve të paidentifikuar, duke çuar në anulimin e 17 fluturimeve dhe ndërprerjen e udhëtimit për gati 3.000 pasagjerë.

15 fluturime të tjera që mbërritën u devijuan në Shtutgart, Nuremberg, Vjenë dhe Frankfurt, tha aeroporti në një deklaratë, duke shënuar ndërprerjen e fundit në aviacionin evropian për shkak të dronëve, pasi me një situatë të tillë janë përballur edhe aeroportet në Danimarkë dhe Norvegji javën e kaluar.

Zyrtarët gjermanë të kontrollit të trafikut ajror kufizuan fillimisht operacionet e fluturimeve në aeroportin e Mynihut nga e enjtja vonë në mbrëmje dhe më vonë i pezulluan ato fare. Aeroporti u rihap në orët e para të së premtes. Nuk ka ende informacione për llojin dhe numrin e dronëve.

Qyteti ishte tashmë nën alarm këtë javë pasi festivali popullor Oktoberfest u mbyll përkohësisht për shkak të një kërcënimi me bombë dhe zbulimit të eksplozivëve në një ndërtesë banimi në veri të qytetit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›