Plagosja e tre të miturve në Kamëz, zbardhet ngjarja, arrestohen 2 persona

Zbardhen rrethanat e konfliktit të djeshëm (2 tetor) mes disa të miturve në bulevardin “Nënë Tereza’ në Kamëz, ku tre 16-vjeçarë u dëmtuan me mjet prerës.
Sipas informacioneve paraprake nga blutë, bëhet me dije se 5 shtetas të mitur janë konfliktuar për motive të dobëta me njëri-tjetrin, e për pasojë tre prej tyre u plagosën, ndërsa dy të tjerët janë arrestuar.
Njëri prej 16-vjeçarëve ndodhet ende në spital nën kujdesin e mjekëve. Bashkëmoshatari i tij ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa i dëmtuari i tretë është larguar në banesë me dëmtime të lehta.
“Në vijim të hetimeve të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për sqarimin e rrethanave të konfliktit të datës 02.10.2025, në bulevardin “Nënë Tereza”, në të cilin u përfshinë 5 shtetas të mitur, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5, në praninë e prindërve, psikologut dhe mbrojtësve ligjorë, kryen veprimet procedurale për arrestimin në flagrancë të dy 16-vjeçarëve.
Të miturit e arrestuar dyshohet se kanë dëmtuar me mjet prerës (thikë) dhe me grushte, 3 të miturit me të cilët janë konfliktuar për motive të dobëta”, thuhet në njoftim.
Aktualisht po punohet për gjetjen e mjetit prerës të përdorur.
/rtsh.al/