E Hënë, 2 Nëntor 2026

BERLIN – Wadephul: Palestinezët duhet të heqin dorë nga Hamasi

BERLIN, 13 tetor /ATSH-DPA/ –  Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul tha se grupi islamik Hamas nuk duhet të ketë më asnjë rol në të ardhmen e Rripit të Gazës

“Hamasi duhet të çarmatoset dhe të mos ketë më ndikim politik,” deklaroi sot në mbrëmje politikani konservator në televizionin publik gjerman ARD. “Do të jetë detyrë e palestinezëve të heqin dorë nga kjo organizatë”, shtoi ai.

Wadephul e përshkroi Hamasin si “terrorizëm të pastër”, por theksoi se ai është edhe një ideologji.

Sipas tij, njerëzit shtyhen drejt radikalizmit kur nuk kanë perspektivë për të ardhmen.

“Prandaj tani duhet të hapim rrugë që palestinezët të mund të jetojnë normalisht, në mënyrë që një ditë të kenë mundësinë për shtetin e tyre”, tha ai.

Si parakusht, ministri gjerman theksoi se palestinezët duhet të shkëputen nga Hamasi dhe të gjejnë një formë të re bashkëpunimi.

Ai e quajti këtë një “moment historik” që shkon përtej armëpushimit.

“Për herë të parë”, tha Wadephul, “të gjithë në rajon janë të përkushtuar ndaj bashkëjetesës paqësore”.
Sipas tij, shtetet arabe kanë hequr mbështetjen për Hamasin dhe kanë ofruar mundësi për mirëkuptim me Izraelin

“Tani, për herë të parë”, përfundoi ai, “kemi një situatë ku Izraeli dhe fqinjët e tij duan në thelb të njëjtën gjë, të jetojnë në paqe, siguri dhe pajtim”. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›