Aksi Librazhd-Përrenjas i bllokuar, ARRSH: Dy itinerare alternative për vijimin e qarkullimit drejt juglindjes

TIRANË, 24 Shkurt/ATSH/ Qarkullimi në segmentin rrugor në zonën e Arrat e Gurrës, pjesë e aksit Librazhd-Pogradec, do të vijojë të jetë i bllokuar për shkak të rrëshqitjeve masive të dheut që e kanë bërë këtë pjesë të pakalueshme dhe të pasigurt për lëvizjen e mjeteve dhe këmbësorëve.
Ndërsa në terren po kryhet një rivlerësim urgjent gjeologjik dhe teknik për shkak të paqëndrueshmërisë së terrenit, autoritetet rrugore theksojnë rëndësinë e përdorimit të akseve alternative për të shmangur problematikat në qarkullim.
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) bën të ditur se drejtuesit e autoveturave mund të përdorin itinerarin Maliq-Lozhan-Strelc-Gramsh-Elbasan, si edhe aksin Qafë Thanë-Pogradec-Korçë-Leskovik-Përmet-Tepelenë, duke garantuar kështu vijimësinë e lëvizjes në juglindje të vendit.
Ndërkohë, për mjetet e tonazhit të rëndë rekomandohet devijimi përmes Pikës Doganore Qafë Thanë drejt Maqedonisë, më pas nga Pika Doganore e Bllatës dhe vijimi në Rrugën e Arbrit, si alternativa më e përshtatshme për përballimin e fluksit dhe garantimin e sigurisë rrugore.
ARRSH apeloi drejtuesit e mjeteve dhe banorët e zonës për respektimin e sinjalistikës dhe udhëzimeve të Policisë Rrugore deri në stabilizimin e plotë të situatës. /j.p/r.e/