E Diel, 1 Nëntor 2026

Kadastra nis legalizimin e apartamenteve në pesë pallate të kompleksit në Selitë

TIRANË, 24 shkurt /ATSH/ Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) ka nisur punën për legalizimin e apartamenteve në favor të banorëve në pesë pallate të një kompleksi banimi në zonën e Selitës.

Sipas njoftimit zyrtar, procesi po realizohet në bashkëpunim me bashkinë Tiranë, me synim trajtimin individual të çdo njësie banimi, për t’u dhënë mundësi qytetarëve të regjistrojnë pronën e tyre dhe të pajisen me dokumentacion të plotë pronësie.

ASHK bën të ditur se për vijimin sa më të shpejtë të procedurave, banorët mund të paraqesin dokumentacionin që disponojnë pranë specialistëve të terrenit ose ta dërgojnë atë me postë në adresën: Drejtoria Vendore ASHK Tiranë Rurale 1, rruga “Jordan Misja”, Tiranë.

Procesi i legalizimit synon formalizimin e pronave, garantimin e sigurisë juridike për banorët dhe përshpejtimin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, në funksion të forcimit të të drejtave të pronësisë.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›