Aksi i vjetër Bërdicë-Velipojë nevojë për ndërhyrje. Amortizimi prej vitesh dhe mungesa e investimeve vështirësojnë qarkullimin dhe sjellin pasiguri

Rruga e vjetër e Bërdicës vijon të jetë në një gjendje të rënduar amortizimi, duke mbetur prej vitesh pa ndërhyrje të mirëfillta rikonstruksioni.
Segmenti paraqet dëmtime të shumta në asfalt, me gropa të thella dhe pjesë të degraduara që e bëjnë qarkullimin jo vetëm të vështirë, por edhe të rrezikshëm për drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët.
Banorët e zonës shprehen se kjo situatë problematike është kthyer në një shqetësim të përditshëm, pasi lëvizja në këtë rrugë kërkon kujdes të shtuar dhe shpesh sjell dëmtime të automjeteve. Mungesa e sinjalistikës rrugore dhe ndriçimit e përkeqëson edhe më tej gjendjen, sidomos gjatë orëve të mbrëmjes, duke rritur rrezikun për aksidente.
“Degradimi është i madh dhe ka shumë nevojë për ndërhyrje”, u shpreh një banor.
“Është shumë e nevojshme se është lënë tërësisht pas dore”, tha një tjetër banorë.
Aktualisht me shtimin e qarkullimi krahas rrugës së re të Velipojës, edhe ajo e vjetra përballet me fluks të shtuar gjë e cila shton nevojën e ndërhyrjes për mirëmbajtjen e saj.
Gazetare: M. Gjoni
/rtsh.al/