Krasniqi takim me studiuesin francez Colon, në fokus sfidat në epokën digjitale

TIRANË, 18 qershor/ATSH/ Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi priti në një takim Prof. David Colon, pedagog dhe studiues në Sciences Po Paris.
Gjatë takimit Krasniqi dhe Colon biseduan për mënyrën se si rrjetet sociale po transformojnë qarkullimin e informacionit, sfidat që sjell manipulimi i koordinuar i informacionit dhe rëndësinë e edukimit mediatik.
“Ishte një shkëmbim mendimesh i vlefshëm mbi praktikat europiane dhe sfidat që hasim të gjithë në epokën digjitale. Në një kohë kur sfidat e informacionit nuk njohin kufij, shkëmbimi i përvojave dhe praktikave më të mira ndërkombëtare mbetet thelbësor për forcimin e demokracive dhe mbrojtjen e hapësirës publike nga format e reja të manipulimit dhe ndikimit”, tha Krasniqi në një postim në rrjetet sociale.
Sipas Krasniqit, ky takim ishte mjaft i vlefshëm, pasi ofroi perspektiva të rëndësishme mbi tendencat aktuale dhe sfidat e së ardhmes në mjedisin informativ europian.
Prof.Colon mori pjesë dje në Shkollën Verore, të organizuar në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, në kuadër të projektit “Bridging Identities: Aligning Cultural Policies for EU Integration-A Case Study of Albania”, me mbështetjen e Bashkimit Evropian.
Prania e Prof. David Colon, specialist i historisë së mediave dhe komunikimit masiv, autor i librave “Propagande” dhe “La Guerre de l’information”, i dha programit një dimension të veçantë mbi një prej sfidave më të rëndësishme të Evropës bashkëkohore.
1 nga 6/k.s/a.f/