Mbi 4900 pacientë morën shërbim në qendrat shëndetësore verore

TIRANË, 18 qershor /ATSH/ Siguria shëndetësore mbetet një nga prioritetet kryesore gjatë sezonit turistik veror 2026, ndërsa në të gjithë vendin janë vendosur në funksion 36 Qendra Shëndetësore Verore pranë zonave më të frekuentuara turistike.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bëri të ditur se qendrat janë vendosur pranë zonave më të frekuentuara bregdetare, malore, kulturore dhe fetare, duke ofruar kujdes shëndetësor 24 orë në 24 gjatë gjithë sezonit veror.
Sipas të dhënave zyrtare, vetëm nga 1 qershori e deri më sot, në këto qendra kanë marrë shërbim 4940 pacientë. Rreth 23% e tyre kanë qenë turistë të huaj, duke reflektuar rritjen e numrit të vizitorëve që zgjedhin Shqipërinë si destinacion pushimesh.
Në mbështetje të këtij rrjeti shëndetësor janë angazhuar 301 mjekë dhe infermierë, të cilët janë në gatishmëri për t’iu përgjigjur nevojave të pushuesve dhe banorëve në zonat turistike.
Ministria thekson se ofrimi i shërbimit shëndetësor pranë destinacioneve turistike synon të garantojë një sezon veror të sigurt, duke forcuar standardet e kujdesit shëndetësor.
/e.xh/a.f/r.e/