Aksident në Durrës, përplasen dy automjete, humb jetën 26-vjeçari, plagoset një tjetër

Një aksident me pasojë një viktimë është regjistruar mbrëmjen e djeshme në fshatin Pjezë. Policia bën me dije se dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën e për pasojë ka humbur jetën një 26-vjeçar nga Durrësi, ndërsa ka mbetur i plagosur një 19-vjeçar.
“Rreth orës 23:55, në segmentin rrugor “Katër Rrugët e Shijakut”, fshati Pjezë, automjeti tip Volkswagen me drejtues shtetasin F. R., 19 vjeç, banues në Shijak, është përplasur me automjetin tip Ford me drejtues shtetasin G. K., 26 vjeç, banues në Sukth, Durrës. Si pasojë, shtetasi G. K. ka humbur jetën në vendngjarje.
Ndërsa shtetasi F. R. është transportuar në spital për ndihmë mjekësore, nën mbikëqyrjen e shërbimeve të Policisë, pasi do të vijojnë veprimet procedurale për aksidentin e ndodhur”, thuhet në njoftim.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.