Hungaria refuzon të ndalojë blerjen e naftës ruse, pavarësisht thirrjes së Trump për aleatët e NATO-s

Hungaria ka deklaruar se nuk do të heqë dorë nga blerja e naftës dhe gazit rus, pavarësisht thirrjes së presidentit amerikan Donald Trump që vendet anëtare të NATO-s të ndalojnë furnizimin nga Moska.
Ministri i Jashtëm hungarez, Péter Szijjártó, në një intervistë për gazetën Guardian, tha se vendi i tij nuk ka alternativë të besueshme për furnizimin me energji.
“Ne nuk mund të sigurojmë furnizimin e sigurt për vendin tonë pa burime ruse të naftës ose gazit,” tha Szijjártó, duke shtuar se infrastruktura aktuale nuk lejon zëvendësimin e këtyre burimeve.
“Është e pamundur të sigurohet furnizimi i qëndrueshëm pa naftën ruse,” theksoi ai.
Deklaratat e tij vijnë pas paralajmërimit të Trump se do të vendosë sanksione të reja ndaj Rusisë vetëm nëse të gjitha vendet e NATO-s ndalojnë blerjen e naftës ruse.
“Jam gati të vendos sanksione të mëdha ndaj Rusisë kur të gjitha vendet e NATO-s të kenë filluar të bëjnë të njëjtën gjë,” shkroi pak kohë më parë Trump në platformën e tij Truth Social.
Hungaria dhe Sllovakia mbeten ndër vendet më rezistente ndaj thirrjeve për të ndaluar importet e energjisë nga Rusia.
Kompania shtetërore MOL importon rreth 5 milionë ton naftë në vit përmes tubacionit Druzhba, duke furnizuar rafineritë në Hungari dhe Sllovaki.
Kryeministri hungarez Viktor Orbán, një aleat ideologjik i Trump në Evropë, ka ruajtur marrëdhënie të ngushta me Kremlinin dhe ka kritikuar ashpër Ukrainën.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian po shqyrton kufizime tregtare që mund të ndalojnë furnizimet përmes tubacionit pa pëlqimin e plotë të vendeve anëtare, duke anashkaluar qëndrimin e Budapestit dhe Bratislavës.
Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, tha se Evropa duhet të ushtrojë presion mbi Hungarinë dhe Sllovakinë për të ndaluar blerjen e naftës ruse, duke e cilësuar këtë si një hap të domosdoshëm për të rritur presionin ndaj Moskës.
Edhe ministri i Jashtëm polak, Radosław Sikorski, i bëri thirrje Hungarisë që të dëgjojë kërkesën e Trump dhe të diversifikojë burimet e energjisë.
Megjithatë, Szijjártó i cilësoi zyrtarët e Evropës Perëndimore si “fanatikë” dhe tha se dialogu me ta është i pamundur.
Ai theksoi se marrëdhëniet me SHBA-në janë përmirësuar ndjeshëm, duke e cilësuar Amerikën si “mik” dhe Hungarinë si “të vetmen qeveri evropiane që po përkushtohet fitores së Trump”.
/rtsh.al/