Erdogan: Me Trumpin do të negociojë blerjen e avionëve F-35 në takimin

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se do të diskutojë me presidentin amerikan Donald Trump, për rifillimin e negociatave mbi blerjen e avionëve luftarakë F-35, gjatë vizitës së tij në Uashington këtë javë (25 shtator).
Në një intervistë për emisionin “Special Report” në Fox News, Erdogan tha se Turqia ka paguar 1.4 miliardë dollarë për projektin F-35 dhe se disa avionë ishin gati për dorëzim, por procesi u ndalua në momentin e fundit.
“Ne jemi partnerë në projektin F-35. Presim që SHBA-të të bëjnë atë që është e nevojshme, si për F-35 ashtu edhe për çështjen e F-16 dhe mirëmbajtjen e tyre,” tha Erdogan, duke nënvizuar se ndalimi i dorëzimit nuk është i përshtatshëm për një partneritet strategjik.
Mosmarrëveshjet mes dy vendeve lidhen me blerjen nga ana e Turqisë të sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-400, që çoi në përjashtimin e saj nga programi F-35 dhe vendosjen e sanksioneve nga SHBA.
Në të njëjtën intervistë, Erdogan komentoi edhe konfliktin në Gaza, duke deklaruar se nuk e konsideron Hamasin një organizatë terroriste, por një grup rezistence.
Presidenti turk u shpreh skeptik për përfundimin e konfliktit, duke e krahasuar me luftën Rusi-Ukrainë, e cila sipas tij vazhdon pavarësisht premtimeve për zgjidhje.
Në fund, Erdogan kritikoi Bashkimin Evropian për qëndrimin ndaj Turqisë, duke theksuar se vendi i tij është pjesë e NATO-s për më shumë se 50 vjet, por ende nuk është pranuar si anëtar në BE.
/rtsh.al/