Aksident në aksin Pogradec–Qafë Thanë, dy të lënduar dërgohen në spital

Një aksident rrugor ka ndodhur pasditen e sotme në aksin nacional Pogradec–Qafë Thanë, saktësisht në afërsi të fshatit Pojskë. Sipas të dhënave të para nga terreni, në përplasje janë përfshirë dy automjete, si pasojë e së cilës kanë mbetur të lënduar dy persona.
Sipas informacioneve paraprake, “të plagosurit janë transportuar në Spitalin e Pogradecit, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore”. Deri më tani, autoritetet spitalore apo ato policore nuk kanë lëshuar një deklaratë zyrtare lidhur me shkallën e dëmtimeve apo gjendjen shëndetësore të dy shtetasve të lënduar.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë forcat e rendit për të menaxhuar qarkullimin e mjeteve, i cili ka pësuar ngadalësim në këtë segment. Nga sa bëhet e ditur, “shërbimet e Policisë Rrugore ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit”.
Grupi hetimor po kryen ekspertizën në vendin e përplasjes për të përcaktuar dinamikën e plotë të ngjarjes.
/rtsh.al/