E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndeshja Shqipëri–Luksemburg në “Air Albania”, policia bllokon disa akse rrugore në Tiranë dhe rrit kontrollet

Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash të detajuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes miqësore të futbollit ndërmjet përfaqësuesve të Shqipërisë dhe Luksemburgut. Takimi është planifikuar të zhvillohet mbrëmjen e sotme, më datë 06.06.2026, në orën 20:00, në stadiumin “Air Albania”.

Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti ndërkombëtar, duke filluar nga ora 17:00 e deri në përfundim të ndeshjes, strukturat policore në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Tiranës do të ndalojnë qarkullimin e mjeteve në disa akse rrugore kryesore që të çojnë drejt impiantit sportiv.

Sipas njoftimit zyrtar, rrugët që do të jenë të bllokuara përkohësisht janë:

  • Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga hotel “Rogner” në drejtim të sheshit “Nënë Tereza”;
  • Rruga “Papa Gjon Pali II”, te kryqëzimi i RTSH-së;
  • Rrugët “Dervish Hima” dhe “Asim Zeneli”, në segmentet pranë Ambasadës së SHBA-së;
  • Rruga “Themistokli Gërmenji” (në fillim të saj) dhe rruga “Ismail Qemali” te kryqëzimi i RTSH-së;
  • Rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës, e cila do të shërbejë si “korridor hyrës për në parkimin e caktuar vetëm për mjetet e autorizuara nga FSHF-ja”;
  • Rruga “Abdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar;
  • Sheshi “Willson”, ku lëvizja e automjeteve do të devijohet në drejtim të rrugës “Sami Frashëri”, pak para përfundimit të ndeshjes.

Autoritetet bëjnë me dije se Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të mbeten të lira për qarkullimin e rregullt të mjeteve.

Përveç kufizimeve në trafik, Policia e Shtetit ka bërë të ditur se do të aplikojë kritere të rrepta sigurie në perimetrin e jashtëm dhe në dyert e stadiumit, ku dyert për publikun do të hapen që në orën 18:00. “Punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontrolle të imtësishme ndaj tifozëve para hyrjes në stadium”, thuhet në njoftim.

Ky kontroll synon parandalimin e futjes në tribunë të sendeve të ndaluara, ku përfshihen “banderolat me përmbajtje raciste, fishekzjarrët, flakadanët, lëndët piroteknike, monedhat metalike, çadrat, çakmakët, karikuesit e telefonave celularë, mjetet dhe produktet kozmetike, si dhe sendet e tjera të forta që mund të rrezikojnë jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve”.

Për të monitoruar situatën dhe për të menaxhuar fluksin e tifozëve, strukturat e rendit kanë angazhuar një numër të konsiderueshëm efektivësh përgjatë gjithë mbrëmjes së sotme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›