Vizita apostolike në Spanjë, Papa Leo XIV bën thirrje për negociata në Ukrainë dhe deklaron se “nuk ka luftë të drejtë”

Papa Leo XIV ka mbërritur sot në mëngjes në Aeroportin Adolfo Suarez Madrid-Barajas, duke nisur kështu vizitën e tij apostolike në Spanjë, e cila do të zgjasë deri më 12 qershor. Gjatë fluturimit drejt Madridit, Ati i Shenjtë ka adresuar çështjet më të nxehta të gjeopolitikës botërore, duke u ndalur veçanërisht te konfliktet në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, si dhe te kriza e abuzimeve seksuale brenda Kishës.
Në bordin e avionit papnor, përballë gazetarëve, Papa shprehu shqetësimin e tij të thellë për zgjatjen e luftës në Ukrainë, e cila tashmë numëron katër vite e gjysmë.
“Mesazhi është tashmë në enciklikë. Ne duhet gjithashtu të promovojmë negociatat. Të paktën po bëheshin disa përpjekje, por ne duhet të shtyjmë vërtet për t’i dhënë fund dhunës dhe luftës”, deklaroi udhëheqësi i Kishës Katolike, duke iu referuar përpjekjeve të mëparshme për dialog mes presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe atij rus Vladimir Putin.
I pyetur specifikisht nëse situata me Iranin mund të konsiderohet një “luftë e drejtë”, Papa Leo XIV u shpreh prerazi kundër këtij koncepti historik, duke cituar dokumentin e tij të fundit magjistral, Magnifica Humanitas.
“Unë besoj se është thënë shumë qartë: atje nuk ka luftë të drejtë. Problemi është se teoria e luftës së drejtë vjen nga shekujt e kaluar, kur njerëzit nuk mund t’i imagjinonin armët dhe kapacitetin për shkatërrim që ka njeriu sot”, argumentoi ai.
Në aspektin e marrëdhënieve brenda strukturave kishtare, Ati i Shenjtë konfirmoi se abuzimi seksual mbetet “një plagë që është ende e hapur”. Ai njoftoi se gjatë qëndrimit të tij do të zhvillojë takime me disa prej viktimave, ndonëse pranoi se “është e pamundur të pranohen të gjithë ata që e duan”.
Pas uljes në Madrid, Papa u prit me një ceremoni zyrtare shtetërore nga Monarkët Felipe VI dhe Letizia, të shoqëruar nga Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez dhe pothuajse i gjithë kabineti qeveritar. Programi i ditës së parë vijoi me vizitën e mirësjelljes në Pallatin Mbretëror dhe takimet me trupin diplomatik, ndërsa pasdite Papa do të vizitojë projektin social “Cedia 24 Horas” për personat në nevojë, përpara se të përmbyllë ditën me një vigjilje lutjeje me të rinjtë në Plaza de Lima.
/rtsh.al/