Aksident tragjik në Shkodër, vdes 37-vjeçari. Plagosen tre pasagjerët, mes tyre dy të mitur

Një aksident tragjik është regjistruar këtë të premte në aksin Shkodër – Lezhë.
Shoferi i një kamioni ka humbur kontrollin mbi mjetin e tij dhe si pasojë është përplasur me dy automjete.
Fatkeqësisht nga përplasja ka humbur jetën shoferi i automjetit të tretë, i identifikuar si Gjin Bzhangaj, 37-vjeç.
Ndërkohë sipas njoftimit zyrtar, të plagosur kanë mbetur edhe bashkëshortja e tij së bashku me dy fëmijët e mitur.
“Rreth orës 14:50, në aksin rrugor “Shkodër – Lezhë”, ka ndodhur një aksident rrugor ku janë përfshirë tre automjete.
Shtetasi T. K., 42 vjeç, duke drejtuar kamionin e tij, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe si pasojë automjeti është përplasur fillimisht me automjetin me drejtues A. S., 63 vjeç, dhe më pas është përfshirë në aksident edhe automjeti me drejtues shtetasin Gj. B., 37 vjeç.
Si pasojë e përplasjes, ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Shkodër shtetasi Gj. B., ndërsa janë dëmtuar bashkëshortja e tij, shtetasja J. B., 32 vjeçe, dhe dy fëmijët e mitur, pasagjerë në të njëjtin automjet. Të dëmtuarit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit”, thuhet në njoftim.
/vizionplus.tv