E Hënë, 2 Nëntor 2026

Aktivistja Çepani: Protestat janë nga më paqësoret. Nuk është këputur një lule

Aktivistja Edlira Çepani ka komentuar protestat e ditëve të fundit, duke i cilësuar ato si ndër më paqësoret që janë zhvilluar në vend.

E ftuar në emisionin “3D” të moderuar nga Alban Dudushi, ajo tha se protestat nuk kanë një plan të paracaktuar, as një agjendë të qartë, dhe nuk janë të organizuara nga struktura politike apo shoqërore. 

Sipas saj, kjo është një protestë që ka dalë përtej kornizave tradicionale me të cilat jemi mësuar, pasi nisja ishte spontane dhe po vazhdon në të njëjtën mënyrë.

Një turmë e madhe qytetarësh ka dalë në bulevardin e Tiranës, por edhe në qytete të tjera të vendit, si dhe në diasporë, ku individë të ndryshëm kanë zgjedhur të protestojnë për problemet e tyre personale. 

Çepani theksoi se protesta është paqësore dhe se duhet të jemi krenarë që kemi rritur një brez të ri tipik europian, i cili zgjedh të shprehë pakënaqësitë e tij në mënyrë civile.

Duke komentuar vijimësinë e protestës dhe mundësinë e përshkallëzimit, ajo u shpreh se problematikat e ngritura duhet të adresohen me më shumë përgjegjësi nga institucionet. 

Zhvendosja e protestës ditën e djeshme në rrugën e Rinasit, sipas Çepanit, ishte një provë e qartë e asaj që mund të arrijë kjo lëvizje, qoftë e organizuar apo spontane, duke treguar potencialin e saj për të shkuar më tej. 

 “Kjo është një protestë që nuk ka plan, nuk ka agjendë dhe nuk është e organizuar. Ka dalë përtej kornizave me të cilat jemi mësuar. Ashtu siç nisja ishte spontane, ashtu po vazhdon, me një turmë të madhe në bulevardin e Tiranës, në qytete të ndryshme të vendit, por edhe në diasporë, ku njerëzit dalin individualisht me dëshirën për të protestuar për problemet e tyre. Nuk është një protestë e qartë që të dish se çfarë do të ndodhë nesër. Është një protestë paqësore, nuk është këputur një lule dhe duhet të jemi krenarë që kemi rritur një brez të rinjsh tipik europian. Problematikat që ngrihen në këtë protestë duhet të adresohen me më shumë përgjegjësi nga institucionet. Zhvendosja e protestës në rrugën e Rinasit ishte një provë se çfarë mund të arrinte kjo lëvizje, qoftë e organizuar apo spontane, dhe tregon se ku mund të shkojë.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›