Aktivitetet kulturore/ Premiera botërore e veprës 'Minus 303', në Teatrin e Operas dhe Baletit! Edicioni i 11-të i festivalit 'Luleborë', në Shkodër

Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.“MINUS 303”, PREMIERË BOTËRORE NË TEATRIN E OPERAS E BALETIT
Premiera botërore e veprës “MINUS 303”, nga “Was Bleibt Kollektiv” e Gentian Doda, do të prezantohet nesër, më 5 nëntor, në orën 20:00, në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor. E bazuar në dëshmitë reale të ish-të burgosurve politikë gjatë diktaturës në Shqipëri, shfaqja eksploron marrëdhënien mes pushtetit, burokracisë absurde, akuzës, dënimit dhe brishtësisë së lirisë. Përmes lëvizjes, fjalës së artikuluar dhe muzikës live, vepra sjell një reflektim artistik mbi kujtesën, të vërtetën dhe kufijtë mes së shkuarës dhe së tashmes.


2.“GREPI I ART˔, KOMEDIA ME INTRIGA DHE SURPRIZA NË DURRËS
Komedia “Grepi i Artë” vjen në skenën e Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Durrës, më 5, 6, 7 dhe 8 nëntor, në orën 19:00. Një histori ku dyshimet për tradhti, përgjimet, kamerat e fshehta dhe maskimet krijojnë një rrjet intrigash, humori dhe sekretesh. Në një lojë ku ambicia për pushtet dhe ruajtja e imazhit publik ndërthuren me jetën personale, askush nuk është aq i pafajshëm sa duket dhe çdo e vërtetë e zbuluar sjell një mister të ri.
3.“GRUA PËR SHPI”, SHFAQJA MBI ROLIN E GRUAS TE “SKAMPA”
Shfaqja teatrore “Grua për Shpi”, me tekst të Franca Rames, vjen më 5 nëntor, në orën 18:30, në Teatrin “Skampa” në Elbasan, me hyrje falas. Nën regjinë e Endri Çelës dhe me interpretimin e Ina Gjonçit, vepra trajton përmes artit dhe humorit satirik rolin e gruas në shoqëri, stereotipet gjinore, pabarazitë dhe dhunën me bazë gjinore. Një shfaqje që fton publikun të sfidojë paragjykimet dhe të reflektojë mbi rëndësinë e një shoqërie më të barabartë dhe pa dhunë.
4. SHFAQJA/“NË SHTËPINË TON˔, NË TEATRIN “BYLIS” TË FIERIT
Komedia “Në shtëpinë tonë” do të prezantohet më 5, 6 dhe 7 nëntor, në orën 18:00, në Teatrin “Bylis” në Fier. Me një kast prej pesë aktorësh, ku bëjnë pjesë Luiza Xhuvani, Sokol Angjeli, Gentian Zenelaj, Indrit Cobani dhe Andia Xhunga, e cila është edhe regjisore e shfaqjes, produksioni premton të sjellë në skenë humor dhe situata argëtuese për publikun.
5.“NJËZETA: ALBANIAN CONTEMPORARY ART BETWEEN 2007–2027”
“NJËZETA: Albanian Contemporary Art betëeen 2007–2027” është ekspozita që do të çelet nesër në orën 18:00 në qendrën e artit bashkëkohor “Zeta” në Tiranë, e që do të qëndrojë e hapur deri më 25 nëntor. Në prag të 20-vjetorit të krijimit, qendra sjell për publikun koleksionin e saj të artit bashkëkohor shqiptar, të digjitalizuar dhe të kataloguar së fundmi. Ekspozita përfaqëson një dëshmi të rëndësishme të krijimtarisë së artistëve shqiptarë ndër vite dhe të zhvillimit të skenës së artit bashkëkohor në vend.
6.FESTIVALI “LULEBOR˔, DY DITË MUZIKË DHE ART NË SHKODËR
Shkodra bëhet gati të mirëpresë edicionin e 11-të të festivalit “Luleborë”, i cili do të zhvillohet më 5 dhe 6 nëntor, në orën 19:00, në teatrin “Migjeni”, duke sjellë dy ditë të mbushura me muzikë, ritëm, emocione, art dhe kreativitet.
7.“UNRECOGNIZED”/ SHFAQJA NDËRKOMBËTARE PREMIERË NË TIRANË
Shfaqja “Unrecognized”, me regji të Data Tavadze dhe tekst të Jeton Nezirajt dhe Davit Gabunias, vjen për herë të parë para publikut të Tiranës më 5 nëntor, në orën 20:00, në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. E interpretuar nga një kast ndërkombëtar aktorësh nga Ukraina, Gjeorgjia, Maqedonia e Veriut, Finlanda dhe Suedia, vepra ngre pyetje mbi identitetin, përkatësinë dhe ekzistencën, duke eksploruar çfarë ndodh me njeriun kur shtëpia, historia apo vetë ekzistenca e tij nuk njihen më.
8. “LA SYLPHIDE”, KRYEVEPRA E BALETIT ROMANTIK NË VLORË
Baleti “La Sylphide”, një nga kryeveprat e baletit romantik botëror, që ndërthur bukurinë e lëvizjes, poezinë e trupit dhe magjinë e një bote ëndrrash do të ngjitet në skenë në teatrin “Petro Marko” në Vlorë, sonte, në orën 19:00. Nën koreografinë e August Bournonville dhe me muzikën e Herman Severin Lovenskiold, kjo vepër klasike ju fton në një udhëtim të paharrueshëm mes dashurisë, fantazisë dhe së bukurës.