Akuzat e Këlliçit për kontrollet në Elbasan, SPAK: Kemi pasur bashkëpunimin dhe mbështetjen e plotë të policisë

TIRANË, 11 prill /ATSH/ Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zhvilluar dje një aksion në qytetin e Elbasanit dhe sipas medieve janë kryer kontrolle në biznese të lidhura me grupin e Suel Çelës.
Në lidhje më këtë aksion ka reaguar edhe anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, njëkohësisht drejtues politik i PD-së për Tiranën Belind Këlliçi i cili tha se Policia e Shtetit nuk ka zbatuar disa urdhrat e Prokurorisë së Posaçme për kontrolle në tregun e Elbasanit.
Por në një reagim për mediet, SPAK ka hedhur poshtë akuzat e Këllçit, ku u shpreh se ka pasur bashkëpunimin dhe mbështetjen e plotë të Policisë së Shtetit, si dhe të Drejtorisë së Policisë Vendore të Elbasanit.
“Më datë 10 Prill 2025, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kryer disa veprime hetimore në qytetin e Elbasanit, për të cilat ka pasur bashkëpunimin dhe mbështetjen e plotë të Policisë së Shtetit dhe të Drejtorisë së Policisë Vendore të Elbasanit”, tha SPAK për Euronews.