Rama: Beteja jonë për mandat më të fortë që të ruajmë intensitetin e negociatave me BE

TIRANË, 11 prill /ATSH/ “Beteja jonë është për sa më shumë zemra dhe mendje shqiptarësh dhe për të marrë një mandat më të fortë se ky që kemi në mënyrë që të vazhdojmë me intensitet bisedimet për negociata dhe të anëtarësimin e Shqipërisë më BE brenda kësaj dekade”, u shpreh sot Rama në çelje të fushatës elektorale në një intervistë për Top Channel ku ka shpjeguar si është konceptuar kjo fushatë elektorale.
Rama i ka dhënë përgjigje edhe pyetjes sa i mundshëm është realizimi i objektivit të PS në fitimin e 80 mandateve.
“Ne do bëjmë fushatën tonë, kemi rrugët dhe objektivat tona, kundërshtarët janë pas, ne jemi para”, tha Rama.
Sa i takon objektivit për anëtarësimin në BE në 2030, Rama, tha se, “ne jemi në kushtet kur Europa është e hapur dhe angazhuar si asnjëherë tjetër për të na përfshirë në gjirin e vet, dhe është BE që ka negociuar me ne kalendarin e negociatave dhe kjo vjen si rezultat i faktit që nuk jemi vetëm ne që duam të hyjmë në BE, por dhe BE që dëshiron të zgjerohet për qëllimet e veta, gjeopolitik të një BE më të madhe, më të gjerë, më të fortë”.
Në lidhje me objektivin e këtyre zgjedhjeve, Rama tha se “objektivat tanë janë objektiva që lidhen sa me dëshirën, aq me leximin shkencor të realitetit elektoral”.
“Ne bëjmë anketime të vazhdueshme. Kemi një instrument shumë të konsoliduar të anketimeve të brendshme që e bëjmë çdo muaj për arsyet që ne kemi, për të lexuar dhe kuptuar sa më mirë njerëzit”, shtoi ai.
“Nga ana tjetër kemi një makineri gjithmonë e më të sofistikuar të PS në aspektin elektoral, që mbledh të dhëna në terren dhe mbi të gjitha këto, ne ndërtojmë dhe objektivat që nuk janë thjeshtë dëshira, por janë të bazuara në realitetin e fakteve dhe besoj që në pikën e Kuçit do e shkruaj se cili do të jetë rezultati edhe kësaj radhe dhe besoj që do dalë”, theksoi Rama.
Për etiketimin e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha si “buf”, dhe pse nuk ka përmendur “non grata” nga SHBA dhe Britania, Rama u shpreh se, “nuk e kam etiketuar, e kam konstatuar”.
“Ajo që ka mbetur nga PD e kohës kur PD në ’92 ishte në kohën dhe vendin e duhur për të marrë një besim, është një kënetë ku janë grumbulluar mbetjet e historisë politike shqiptare dhe ku dihet se cila është shtysa dhe objektivi i gjithë asaj grumbullate, që është në funksion të një hallexhiu të madh, “bufit””, u shpreh ai.
Sa i përket dialogut në distancë me Lulzim Bashën, Rama tha se, “Luli është një fenomen më vete i kësaj fushate dhe ju e dini që çdo fushatë ka dhe elementët e vet shumë seriozë dhe ato humoristikë, sepse politika nuk mund të jetë vetëm një luftë me vetulla të ngrysura ku njerëzit duhet të qeshin”.
I pyetur nëse Basha do të fitojë një mandat, Rama tha se, “nuk më duket se i ka forcat për ta bërë një gjë të tillë, sepse dhe mënyra si e ka impostuar fushatën nuk lë shumë për të shpresuar”.
Rama u pyet edhe se cila është arma sekrete e PS përballë LaCivita.
“Kush është ky? A, të lutem tani, të mos biem edhe ne në këtë kurthin qesharak të njerëzve që kanë punën e tyre, për kënetë ai është një strateg, për mua është një turist më shumë në Tiranë”, tha Rama. /j.p/r.e/