Alarmi i OBSH/ Qirjako: Plumbi dëmton në heshtje, kontrolloni gjakun e fëmijëve! Shqipëria pa harta rreziku

Ndotja toksike nga plumbi është alarmi që OBSH ngriti edhe këtë vit për shkak të vlerave të gjetura mbi përqendrimin e këtij metali në gjak në disa vende. Tek fëmijët shqiptarë nën moshën 5-vjeç, vlera mesatare e plumbit në gjak rezultoi nën pragun e lejuar prej 3.5 mikrogram për decilitër. Por gjithsesi sipas OBSH, mbi 10% e tyre mund të tejkalojnë 5 mikrogramë për decilitër dhe mbi 35% nivelin 3.5 mikorogramë për decilitër.
Me këto vlera mbi 45% e fëmijëve shqiptarë janë të ekspozuar ndaj këtij metali helmues problematik.
Në një lidhje me emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, specialistja e ISHP-së, Genta Qirjako deklaroi se plumbi është një metal i rrezikshëm që mund të gjendet kudo në mjedisin përreth nesh, sikurse në ajër, ujin e pijshëm apo në tokë. Ajo shtoi se grupet më vulnerabël janë fëmijët dhe gratë shtatzëna.
“Plumbi është metal i rëndë që mund të gjendet kudo. Dikur përdorej shumë më tepër në industri. Por ai mundtë gjendet, në ajër., tokë, ujin e pijshëm. Ka efekte të dëmshme në rast se hyn në organizëm. Fatkeqësisht as nuk shihet dhe as nuk nuhatet.
Grupet më vulnerabël janë fëmijët dhe gratë shtatzëna. Fëmijët për faktin se janë në rritje dhe ju mjafton sasi më të vogla plumbi për t’ju shkaktuar shqetësime. Mënyra si mund të merret mund të jetë e ndryshme, pasi plumbi mund të gjendet në bojën me të cilën lyhen shtëpitë, dhe me kalimin e viteve lëshon pluhur, dhe ky i fundit mund të preket nga fëmijët e me duart e palara mund të merret nga të miturit. Tubacionet e ujit, kur bëhet fjalë për ndërtime të vjetra kur dikur tubat kanë pasur në përmbajtje plumbin. Enët e gatimit të vjetra e përmbajtje plumbi, lodrat e vjetra të ndryshme, plastike apo metalike që nuk janë të certifikuara”, deklaroi Qirjako.
Kjo e fundit theksoi se plumbi depozitohet në disa prej organeve, të tilla sikurse tru, mëlçi, veshka dhe dëmton kështu disa prej funksioneve të tyre.
Por si mund të kuptohet nëse një person ka prezencë plumbi në trupin e tij? Qirjako theksoi se shenjat janë shumë të përgjithshme dhe e vetmja mënyrë mbetet matja e sasisë së këtij metali në gjak përmes analizës.
“Shenjat janë shumë të përgjithshme dhe jo detyrimisht mund ti lidhim me plumbin. Sepse efektet shfaqen shumë gradualisht. Me rritjen e fëmijës vihet re mungesa e përqendrimit, probleme me të folurën, me sjelljen, veçanërisht thuhet performancë e ulët në shkollë, inteligjencë më e ulët krahasuar me të tjerët. Por, ky është një moment kur ngjarja ka ndodhur. E rëndësishme është parandalimi marrja dhe thirrja e plumbit.
Pasi në rastet kur ai është depozituar tashmë, shanset për rikthim në normalitet janë më të vogla.
E vetmja mënyrë që tregon nëse kemi apo jo plumb në gjak, është ta masim atë përmes gjakut. Vetëm ky ekzaminim e tregon.”, sqaroi Qirjako.
Pyetur mbi zonat me rreziqe të shtuara në vendin tonë, specialistja e ISHP-së deklaroi se fatkeqësisht në Shqipëri nuk ekziston një hartë për pikat e nxehta në lidhje me plumbin.
“Duhen patur kujdes zonat ish-industriale para viteve ’90 kur ishte pjesë normale përdorimi i plumbit. Në zona të tilla ende sot mundtë jenë problematike”, përfundoi ajo.
/rtsh.al/