E Diel, 1 Nëntor 2026

Alarmi i rremë për bombë në Kuvendin e Kosovë, Sveçla: Numri nga i cili erdhi kërcënimi është i një shtetasi serb

Ministri i Brendshëm në detyrë i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se një numër telefonik nga i cili u bë një kërcënim për sulm me bombë në Kuvendin e Kosovës të shtunën është i një shtetasi serb.

Kërcënimi me bombë të shtunën në Kuvendin e Kosovës – që detyroi evakuimin e deputetëve dhe shtyrjen e seancës konstituive për në mbrëmje – ishte i rrmë, sipas autoriteteve kosovare.

Sveçla tha të dielën në Facebook se autoritetet e sigurisë e trajtuan me prioritet të lartë “këtë sulm hibrid” ndaj institucioneve të Kosovës, i cili është “konfirmuar se ka origjinën në Serbi”.

Ai tha se numri i telefonit nga i cili është bërë kërcënimi është i regjistruar në Serbi dhe i përket kompanisë telefonike MTS.

“Shfrytëzuesi i numrit ka qenë ose është shtetasi serb Lazar Zhivkoviq. Në disa profile të lidhura me këtë numër është gjetur fotografia e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq”, tha Sveçla pa dhënë ndonjë hollësi për këtë.

Mlladiq, ish-gjenerali i serbëve të Bosnjës – i njohur me nofkën “kasapi i Ballkanit” – qëndron në qendrën e ndalimit të OKB-së në Hagë që nga dënimi i tij përfundimtar në vitin 2021.

Mlladiç udhëhoqi forcat serbe të Bosnjës gjatë luftës në Bosnje nga viti 1992 deri më 1995.

Ai u dënua nga Tribunali i Hagës me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit, shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës, gjatë luftës së viteve 1992-1995 në Bosnje e Hercegovinë.

Të shtunën, prokurori që e hetoi rastin, Zejnullah Gashi, tha se kërcënimi erdhi nga një burrë përmes telefonit dhe se një hetim kibernetik për ketë është duke u zhvilluar.

Zejnullahu shtoi se kërcënimi u bë nga një “person anonim, me zë mashkulli në gjuhën angleze dhe me një theks që ne mendojmë se është nga një shtet jomiqësor”, pa përmendur emrin e shtetit.

Policia e Kosovës, në orët e vona të së shtunës, tha se “bazuar në hetimet e deritanishme, dyshohet se kërcënimet kanë ardhur përmes një numri të telefonit i cili dyshohet se është nga Serbia”.

“Policia në bashkëpunim me prokurorinë kompetente do të vazhdojë hetimet e mëtejme, duke marrur të gjitha masat hetimore, përfshirë edhe komunikimet me partnerë ndërkombëtar të sigurisë, për të lokalizuar mjetet, rrjetet e komunikimit që janë përdoruar në këtë kërcënim”, tha policia./rel

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›