Merkel: Eurozona rrezikon, sa më shpejt borxhin Greqisë
Vendet e eurozonës po negociojnë me Qeverinë greke dhe FMN-në, për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë mbi paketën e borxhit të Greqisë, e cila duket se po shkon drejt miratimit. Nuk është vendosur ende përqindja e interesit me të cilën borxhi prej 45 miliardë eurosh do t’i jepet Greqisë. BE ka planifikuar një takim me krerët e shteteve më 10 maj, për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare këtij problemi, ndërsa Greqisë po i afron afati për të paguar një këst (rreth 9 miliardë euro) të borxhit të saj, më 19 maj. Kancelarja gjermane, Anxhela Merkel dhe drejtuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar kanë kërkuar të përshpejtohen përpjekjet për të kapërcyer krizën e borxhit grek, ndërsa “Standard & Poor” e uli vlerësimin për Spanjën dhe investitorët i shitën bonot në vendet më në borxh të Evropës. “Eshtë plotësisht e qartë se negociata mes Qeverisë greke, Komisionit Evropian dhe FMN-së duhet të përshpejtohen tani”, tha Merkel dje në Berlin. Merkel, e cila u takua me drejtorin e FMN-së, Dominique Strauss-Kahn, tha se “stabiliteti i eurozonës” ishte në rrezik, nëse paketa e borxhit prej 45 miliardë eurosh për Greqinë nuk do të jepej shpejt.
Ministri gjerman
“Paketa e ndihmave që i nevojitet Greqisë do të kapërcejë 100 miliardë euro në harkun e tre viteve”, tha në San Paolo (Brazil) Ministri gjerman i Ekonomisë, Rainer Bruederle. Sipas llogaritjeve të ministrit, komenton agjencia DPA, paketa do të vlerësohet në rreth 135 miliardë euro për trevjeçarin 2010-2012. Gjermania aktualisht pritet të ofrojë 8,4 miliardë euro për Greqinë, nga 30 miliardë të parashikuara nga të gjitha vendet e eurozonës.
Analiza e FT
Sipas “Financial Times”, mes të tre vendeve më të mëdha të eurozonës, Gjermania dhe Franca po planifikojnë të votojnë në Parlament javën e ardhshme mbi një paketë shpëtimi për Greqinë, e cila ka të ngjarë të jetë të paktën 30 miliardë euro nga vendet e eurozonës dhe 25 miliardë euro nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ndërkohë, Qeveria italiane mund të shmangë një proces të zgjatur votimi, duke miratuar një ligj të menjëhershëm për ofrimin e ndihmës në Greqi. Roma konsiderohet, nga analistët, shumë e interesuar të shohë çdo veprim të shpejtë në mënyrë që të parandalojë përhapjen e infektimit në tregun e bonove të Qeverisë italiane, duke pasur edhe vetë një borxh jashtëzakonisht të lartë publik. BE ka rënë dakord mbi një rregullore të re mbi normën e kreditit të agjencive, e cila do të hyjë në fuqi më 7 dhjetor 2010, me një agjenci të ardhshme të tregjeve financiare evropiane, e cila pritet të ketë një rol të rëndësishëm në monitorimin e institucioneve të fuqishme.