E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasada e Kosovës në Hagë apel qytetarëve: Ruani qetësinë dhe mos bini pre e provokimeve

PRISHTINË, 16 shtator/ATSH/ Ambasada e Republikës së Kosovës në Hagë ka reaguar pas aktgjykimit të sotëm të Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Ambasada ka shprehur shqetësim dhe zhgënjim të thellë për verdiktin, duke thënë se beson se aktgjykimi mund të ndryshohet në shkallën e apelit.

“Ky vendim ka shkaktuar, me të drejtë, zhgënjim të thellë në mbarë Kosovën dhe përbën një lajm thellësisht zhgënjyes për të gjithë ne. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë një luftë të drejtë, vetëmbrojtëse dhe të domosdoshme. Këtë fakt nuk e ndryshon askush, asnjëherë”, thuhet në reagim.

Ambasada ka deklaruar se pret që aktgjykimi përfundimtar në shkallën e apelit ta ndryshojë vendimin e shkallës së parë, ndërsa ka shprehur solidaritet me familjet e katër ish-krerëve të UÇK-së.

Në të njëjtën kohë, Ambasada u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që ndodhen në Hagë të ruajnë qetësinë dhe maturinë, të shmangin provokimet dhe të respektojnë rregullat e protestës.

“Dhuna nuk lejohet. Paqja, dinjiteti dhe respektimi i ligjit janë përgjegjësi e të gjithëve”, thuhet në fund të reagimit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›