E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokati i Thaçit pas dënimit me 25 vjet: Beteja vazhdon, në fund do ta gjejë lirinë

PRISHTINË, 16 shtator/ATSH/ Pierre Richard Prosper, avokati kryesor i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale, me të cilin Thaçi u dënua me 25 vjet burgim. Ai tha se, kësisoj, Gjykata Speciale rishkroi historinë.

Përveç procesit të apelit, ai tha se edhe institucionet e Kosovës duhet ta shqyrtojnë raportin e tyre me Gjykatën Speciale.

Prosper e ka cilësuar vendimin si “shkelje të drejtësisë”, duke thënë se mbrojtja do ta apelojë aktgjykimin. Sipas tij, Gjykata Speciale ka dhënë një version të historisë që, siç pretendon ai, nuk përputhet me dëshmitë e paraqitura gjatë procesit.

“Sot dëshmuam një shkelje të drejtësisë. Është e qartë për mua dhe për ne se vendimi ishte i paracaktuar. E them këtë sepse ajo që mund të shohim është se Tribunali e ka rishkruar historinë. Siç e dini, kemi pasur dëshmitarë si gjenerali Clark, James, Chris Hill dhe të tjerë, njerëz që kanë qenë në terren dhe kanë ndarë përvojat e tyre. Ata e bënë të qartë se Hashim Thaçi nuk ishte në krye. Ata e bënë të qartë se UÇK-ja ishte një grup komandantësh rajonalë, njerëz që kontrollonin zonat e tyre. Por ajo që dëgjuam sot ishte një version që e rishkruan historinë, duke thënë se bëhej fjalë për një strukturë të organizuar dhe duke ia ngarkuar të gjithë përgjegjësinë Hashim Thaçit”, ka thënë Prosper në një prononcim për media në Hagë.

Avokati ka paralajmëruar se beteja ligjore do të vazhdojë përmes procesit të apelit.

“Kjo betejë do të vazhdojë. Ne do të apelojmë, por mund t’ju them se kjo është një ditë e errët për drejtësinë ndërkombëtare. Madje do të shkoja edhe më tej dhe do të thoja se mendoj se ky është fundi i tribunaleve ndërkombëtare, sepse cili shtet, në gjendje të arsyeshme, do të pranonte të përfshihej në një proces të tillë, ku gjykata dhe gjyqtarët e shpërfillin plotësisht mbrojtjen dhe marrin një vendim duke pranuar 100 për qind atë që është thënë nga Prokuroria, pa e vënë materialin në testim? Mendoj se NATO-ja, Departamenti i Shtetit dhe shtetet e tjera duhet ta shqyrtojnë shumë nga afër këtë çështje, sepse ajo që gjykata tha sot, së pari sa i përket NATO-s, ishte se UÇK-ja ishte një ndërmarrje kriminale. Pra, ata po thonë se NATO-ja qëllimisht u bë partnere me një ndërmarrje kriminale për të zhvilluar luftë me Serbinë”, ka shtuar Prosper.

Ai po ashtu ka thënë se ka folur me Thaçin, dhe sipas tij, ai e vlerëson të gjithë mbështetjen nga njerëzit dhe e kupton se lufta vazhdon.

“Po, unë përsëri kam folur me z. Thaçi dhe, para së gjithash, mund t’ju them se ai e vlerëson të gjithë mbështetjen nga njerëzit dhe e kupton se lufta vazhdon. Ai është i gatshëm të bëjë gjithçka që nevojitet për të vazhduar betejën – të luftojë për veten e tij, për Kosovën dhe për popullin e Kosovës. Dhe, meqë ra fjala, më lejoni të bëj një koment. Një gjë që bëra, dhe ndoshta do të kem telashe për këtë, ishte se tunda kokën gjatë leximit të aktgjykimit, kur gjykata tha se po vepronte në emër të popullit të Kosovës. Këtë e konsiderova fyese, sepse kjo nuk u bë në emër të popullit të Kosovës. Ata nuk i dëgjuan provat”, ka thënë ai.

Prosper ka thënë se NATO-ja, Departamenti Amerikan i Shtetit dhe shtetet e tjera duhet ta shqyrtojnë me kujdes vendimin e Gjykatës Speciale.

“Departamenti i Shtetit dhe qeveritë e tjera duhet të jenë shumë të kujdesshme në të ardhmen, veçanërisht kur bëhet fjalë për konflikte dhe për këto tribunale. Sepse ajo që kemi këtu janë njerëz, akademikë, njerëz që nuk kanë qenë kurrë në terren, të cilët po marrin vendime për situata të tilla. Ndërsa, sa i përket provave, puna ime ishte të vlerësoja situatën në terren. Përsëri, nuk mund ta theksoj sa duhet rëndësinë e dëshmisë së njerëzve që kanë qenë aty ditë pas dite dhe kanë folur për atë që kanë parë”, nënvizoi Prosper.

Prosper ka thënë se, përveç procesit të apelit, edhe institucionet e Kosovës duhet ta shqyrtojnë raportin e tyre me Gjykatën Speciale.

“Hapi i radhës është të apelojmë këtë vendim në këtë gjykatë. Por mund t’ju them gjithashtu se edhe Kosova duhet ta shqyrtojë këtë çështje. Kuvendi i Kosovës duhet ta shqyrtojë këtë. Epo, kjo gjykatë e ka dëmtuar partneritetin. Nëse do të isha deputet i Kuvendit të Kosovës, do ta tërhiqja mbështetjen time për këtë tribunal, sepse ky ishte një proces abuziv dhe një mohim i drejtësisë. Epo, u takon deputetëve të ulen dhe të votojnë. E dini, procesi i apelit është një proces i gjatë dhe duhet të shpresojmë që gjykata e apelit do t’i shqyrtojë të gjitha çështjet, do t’u kushtojë vëmendje disa prej pikave që po i ngrisim sot këtu dhe do të arrijë në një përfundim objektiv. Por sot, edhe një herë, jam i tronditur nga ajo që pamë. Jam i tronditur nga fakti se ata i shpërfillën plotësisht këta dëshmitarë të jashtëzakonshëm të mbrojtjes”, shtoi Prosper.

Ai ka përsëritur se mbrojtja do ta vazhdojë betejën ligjore në shkallët e tjera të gjykimit.

“Një shtet sovran merr një vendim sovran. Kështu e shoh unë. Është një shtet sovran dhe duhet të marrë një vendim sovran. Por mendoj se duhet të marrë një vendim që është në interesin më të mirë të vendit dhe të njerëzve që duhet t’i përmbahen atij. Ndonjëherë thjesht duhet të ngrihen dhe të reagojnë. Ai do të harrojë disa nga idetë… beteja vazhdon, lufta vazhdon, por se në fund ai do ta gjejë lirinë e tij. Epo, unë nuk pajtohem me këtë konstatim. 100 për qind nuk pajtohem me të. Nuk ka mënyrë tjetër për ta thënë. Por, kur dëgjon atë që tha gjykata sot, është krejtësisht e kotë. Procesi do të zgjasë. Këto procese të apelit mund të zgjasin mjaft kohë. Prandaj duhet të jemi të përgatitur për këtë”, përfundoi ai.

/KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›