E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasada e SHBA trajnim për Policinë Kufitare në luftën kundër kërcënimeve ndërkufitare

TIRANË, 7 prill /ATSH/ Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë njoftoi sot se Njësia Hetimore Ndërkombëtare e SHBA ka përfunduar një trajnim të specializuar me Policinë Kufitare të Shqipërisë, me fokus në rritjen e kapaciteteve për identifikimin e dokumenteve të paligjshme dhe vlerësimin e riskut.

Trajnimi është përqendruar në teknika praktike për zbulimin e falsifikimeve dhe forcimin e aftësive profesionale të efektivëve në terren.

Ambasada thekson se përmes rritjes së ekspertizës dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, synohet përforcimi i përpjekjeve të përbashkëta në luftën kundër kërcënimeve ndërkufitare.

Ambasada e SHBA riafirmon angazhimin për të mbështetur institucionet shqiptare në garantimin e sigurisë kufitare dhe mbrojtjen e sigurisë kombëtare.

“Njësia jonë Hetimore Ndërkombëtare përfundoi së fundmi një trajnim të specializuar me Policinë Kufitare, duke u përqendruar në teknikat praktike për zbulimin e dokumenteve të paligjshme dhe forcimin e aftësive të vlerësimit të riskut. Duke rritur ekspertizën dhe bashkëpunimin tonë, ne vazhdojmë të përforcojmë përpjekjet tona të përbashkëta kundër kërcënimeve ndërkufitare dhe mbetemi të përkushtuar për mbrojtjen e kufijve tanë dhe sigurinë kombëtare”, thekson ambasada e SHBA, në një postim në rrjetet sociale.

/gj.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›