E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ambasadori Karl Bergner: Gjermania qëndron pranë Shqipërisë në rrugën drejt BE-së

Në Ditën e Bashkimit të Gjermanisë, ambasadori gjerman në Shqipëri, Karl Bergner, ka vlerësuar përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe ka rikonfirmuar angazhimin e Gjermanisë si një partner afatgjatë dhe i besueshëm.

“Sot festojmë Ditën e Bashkimit të Gjermanisë – një festë e lirisë, demokracisë dhe vetëvendosjes. 35 vite më parë, ribashkimi paqësor i vendit tonë tregoi se edhe kufijtë në dukje të padepërtueshëm mund të kapërcehen” tha Bergner, duke kujtuar jo vetëm guximin e qytetarëve gjermanë, por edhe atë të shqiptarëve që kërkuan lirinë e tyre 35 vite më parë.

Ambasadori theksoi se Gjermania qëndron fort pranë Shqipërisë, si një partner afatgjatë, duke mbështetur reformat kyçe, forcimin e institucioneve, shoqërinë civile dhe luftën kundër korrupsionit.

Në mesazhin e tij, Bergner vlerësoi hapat e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke përshëndetur hapjen e pesë grup-kapitujve në negociatat me BE-në.

Ai përshëndeti përparimin e bërë, veçanërisht hapjen e pesë grup-kapitujve në negociatat për anëtarësim në BE, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të reformave për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë dhe evropianë.

 “Gjermania mbështet Shqipërinë në reformat kyçe, forcimin e institucioneve, shoqërinë civile dhe luftën kundër korrupsionit,” tha ai, duke shtuar se “pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë dhe evropianë duhet të përmbushen me vendosmëri dhe transparencë.”

Ai vlerësoi gjithashtu kontributin e Shqipërisë në NATO dhe përputhjen e saj me politikën e jashtme të BE-së, duke e cilësuar si “një partner të besueshëm në misionet ndërkombëtare të sigurisë.”

Gjithashtu ambasadori nënvizoi mbështetjen e Gjermanisë për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm në Shqipëri, përmes projekteve të GIZ dhe KW.

“Me 37 vite bashkëpunim, Gjermania është donatori dypalësh më i madh dhe më jetëgjatë në Shqipëri,” tha ai.

Në përmbyllje, Bergner ftoi qytetarët shqiptarë të marrin pjesë në Javën e Kulturës Gjermane, që nis më 3 tetor në Pazarin e Ri në Tiranë.

“Do të tregojmë të gjithë spektrin e kulturës gjermane – nga muzika klasike, te filmi gjerman dhe muzika tekno. Dhe sigurisht, do të sjellim pak atmosferë Oktoberfest-i në Tiranë,” tha ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›