E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori francez: Zgjedhja e presidentit, përgjegjësi e partive politike në Kosovë

PRISHTINË, 24 shkurt /ATSH/ Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot ka deklaruar se është çështje e partive politike të gjejnë mënyrën e duhur për zgjedhjen e presidentit.

Ai për KosovaPress, i sheh si hap pozitiv takimet e fundit që janë zhvilluar në mes të partisë në pushtet Lëvizja Vetëvendosje dhe dy partive më të mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, lidhur me zgjedhjen e presidentit.

Siç u shpreh ambasadori, Guerot edhe Kushtetuta e Kosovës e bën të nevojshme që partitë politike të bisedojnë me njëra-tjetrën.

“Mendoj se është shumë mirë që partitë politike po flasin me njëra-tjetrën. Është e tyre që të gjejnë një zgjidhje. Kuadri institucional i Kushtetutës së Kosovës e bën të nevojshme që partitë politike të bisedojnë me njëra-tjetrën. Sigurisht, nuk dua të komentoj për këto diskutime tani sepse është çështje e tyre që të gjejnë mënyrën e duhur për zgjedhjen e presidentit”, u shpreh ambasadori francez.

Ambasadori francez beson se subjektet politike dhe institucionet në Kosovë qetësisht do të punojnë për zgjedhjen e shefit të shtetit.

I pyetur për një emër konsensual për president, ambasadori francez, Olivier Guerot deklaroi se nuk dëshiron t’i komentojë politikën e brendshme, por shprehet i lumtur që institucionet po funksionojnë.

Gjatë kësaj interviste për KosovaPress, ambasadori i Francës në Kosovës, Olivier Guerot është shprehur i lumtur që pas një viti Kosova ka themeluar institucionet e saja.

Deri më 4 mars 2026 presidenti i Kosovës duhet të zgjidhet në Kuvendin e Kosovës, ndryshe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme. Ndërsa, kryeministri i Kosovës ka zhvilluar takime me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza dhe atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ku temë diskutimi ishte çështja e presidentit.

/KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›