Ambiente dinjitoze për 530 nxënës të shkollës “Gjergj Fishta” në Lezhë

TIRANË, 19 qershor/ATSH/ Shkolla “Gjergj Fishta” në Lezhë do të mirëpresë në vitin e ri shkollor 530 nxënës dhe mësues në ambiente moderne e dinjitoze, falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë Lezhë.
Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot se ky investim është pjesë e programit të ndërtimit të infrastrukturës arsimore.
Rama informoi se Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me pushtetin vendor, këtë vit përfundon ndërtimin dhe rehabilitimin e 42 objekteve arsimore në të gjithë vendin.
Investimi përfshin rikonstruksionin total të godinës së shkollës si dhe rindërtimin e palestrës, rehabilitimin e oborrit dhe të gjithë hapësirave të jashtme.
Një tjetër komponent i rëndësishëm i projektit është shtesa në godinë, e cila do të shërbejë për krijimin e ambienteve të reja mësimore, laboratorëve bashkëkohorë dhe sallave funksionale në shërbim të nxënësve dhe stafit pedagogjik.
1 nga 16/m.m/a.f/r.e/