E Diel, 1 Nëntor 2026

Anija goditet nga një predhë në Ngushticën e Hormuzit, humb jetën një anëtar i ekuipazhit

Një anije tregtare është goditur nga një predhë e paidentifikuar teksa po kryente manovrën e daljes nga Ngushtica e Hormuzit, duke shkaktuar vdekjen e një anëtari të ekuipazhit dhe dëmtime në dhomën e motorëve.

Sipas UK Maritime Trade Operations (UKMTO), incidenti u raportua gjatë tranzitit në dalje të një prej rrugëve detare më strategjike në botë. Goditja shkaktoi dëme në anije dhe një viktimë mes ekuipazhit.

Pjesëtarët e tjerë të ekuipazhit janë evakuuar dhe po marrin ndihmë nga Roja Bregdetare e Omanit. Deri tani, autoritetet nuk kanë raportuar pasoja mjedisore të shkaktuara nga incidenti.

Nuk dihet ende se nga është lëshuar predha dhe kush qëndron pas incidentit. Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e goditjes, ndërsa situata po monitorohet nga strukturat ndërkombëtare të sigurisë detare.

Ngjarja rikthen në vëmendje rrezikun e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, një korridor jetik për transportin detar dhe furnizimet energjetike globale. Trafiku tregtar në këtë zonë është reduktuar ndjeshëm që prej përshkallëzimit të konfliktit mes SHBA-së dhe Iranit, ndërsa sulmet dhe kërcënimet ndaj anijeve kanë shtuar pasigurinë për kompanitë e transportit.

Incidenti ndodh në një moment të tensionuar edhe në planin diplomatik. Përpjekjet për të arritur një marrëveshje mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kanë hasur vështirësi, ndërsa negociatat mbeten të bllokuara për çështje të rëndësishme që lidhen me konfliktin dhe lundrimin në Hormuz.

Në këtë situatë, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan i ka bërë thirrje presidentit amerikan Donald Trump që të vijojë përpjekjet për dialog me Teheranin, në një përpjekje për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›