Ankimimi i PS-së ndaj Celibashit për votat nga Greqia, KAS shtyn vendimin

TIRANË, 13 maj /ATSH/ Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve zhvilloi sot seancën publike për shqyrtimin e kërkesës së depozituar nga Partia Socialiste për shfuqizimin e aktit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi lidhur me mënyrën e administrimit të fletëve të votimit nga jashtë konkretisht nga Greqia, duke e konsideruar si të pavlefshëm dhe të nxjerrë në kundërshtim me ligjin.
Përfaqësuesja e Partisë Socialiste në KQZ, Elena Xhina tha se “vendimi duhet të shfuqizohet”.
“Akti nuk është nxjerrë në përputhje të dispozitave ligjore. Kërkojmë të shpallet si një akt absolutisht i pavlefshëm”, tha Xhina.
Ndërsa përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike Marash Logu në fjalën e tij si palë e interesuar tha se “kemi paraqitur shqetësimin tonë për mënyrën si janë marrë fletët e votimit në Greqi”.
“Kanë qenë problematika të cilat i kanë ngritur dhe në PS. Në shtetin grek ka ndodhur një shkelje flagrante e operatorit të shërbimit postar i kontraktuar nga KQZ, ishte e ndaluar kryerja e nënkontraktimeve. Janë nënkontraktuar operatorë të tjerë për të bërë shpërndarjen dhe marrjen në dorëzim të materialeve zgjedhore. Kjo ka ndodhur në shtetin grek dhe kemi parë operatorë të tjerë që të merren me procesin e shpërndarjes dhe dorëzimin e materialeve zgjedhore”, u shpreh Logu.
Marash Logu tha se “thasë të mbushura nga patronazhistët e PS ne nuk do të lejojmë të numërohen”.
“PS e ka të qartë që PD-ASHM nuk do të lejojë asnjë zarf që vjen nga Greqia të numërohet, derisa të provohet se është marrë personalisht nga zgjedhësi. Kur të provohet kjo, le të numërohet, le të vlerësohet. Po thasë të mbushura nga patronazhistët e PS nuk do të lejojmë të numërohen edhe sikur të jetë gjëja e vetme për të cilin angazhohemi në këtë fazë gjatë numërimit të votës së diasporës”, u shpreh Logu.
KAS vendosi për shtyrjen e vendimit në një moment tjetër.
“Për shkak të kompleksitetit të çështjes, do ta shtyjmë shpalljen e vendimit për një moment tjetër”, tha Ledio Braho anëtar i KAS. /r.e/j.p/