Numërimi i votave të 11 majit drejt përfundimit, PS 52,08 % dhe PD-ASHM 34,47% në 4991 qendra

TIRANË, 13 maj/ATSH/ Në të gjithë vendin ka vijuar pa ndërprerje numërimi i votave për zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 11 maj.
Sipas rezultateve të publikuara në faqen zyrtare të KQZ, deri në orën 13:10 janë numëruar 4991 qendra votimi nga 5225 në total në të 12 zonat zgjedhore.
Sipas shifrave, Partia Socialiste ka marrë në rang vendi 692 766 vota ose 52,08 %, kurse Koalicioni “Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” ka marrë 458 569 vota ose 34,47%.
Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” ka marrë 46638 vota ose 3,51%, Partia Socialdemokrate ka marrë 45 903 vota ose 3,45 % dhe Partia “Mundësia” 39 344 vota ose 2,96%.
Ndërkohë vazhdon numërimi i votave në qarqet e Durrësit ku ka përfunduar numërimi në 460 qendra votimi nga 493 në total; në qarkun e Elbasanit ku ka përfunduar numërimi në 505 qendra votimi nga 508 në total; në qarkun e Fierit ku ka përfunduar numërimi në 541 qendra nga 587 në total.
Po ashtu numërimi vijon në qarkun e Gjirokastrës ku ka mbetur edhe një qendër votimi dhe në qarkun e Shkodrës ku kanë mbetur pa numëruar edhe dy qendra votimi.
Po ashtu numërimi vijon në qarkun e Tiranës ku deri tani ka përfunduar numërimi në 1143 qendra nga 1282 në total.
/m.m/