E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha për mundësinë e dorëheqjes: Betejën kundër regjimit do ta përfundojë ai që e nisi

TIRANË, 13 maj /ATSH/ Numërimi i votave të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit në rang vendi po shkon drejt fundit. Partia Socialiste kryeson me 52,09%, ndërsa Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore renditet e dyta me 34,44%.

Në një konferencë për mediet sot, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, i pyetur nga gazetarët nëse do të dorëhiqet pas humbjes, u shpreh se betejën e nisur për votën e lirë të shqiptarëve, “betejën gjer në fitore, ai që e nisi, do ta bitisi”.

“Këtë betejë gjer në fitore, ai që e nisi do ta bitisi”, tha Berisha, duke mohuar largimin e tij nga drejtimi i partisë opozitare më të madhe në vend.

“Kundërshtimi i procesit zgjedhor do të jetë paralelisht me një proces të brendshëm të PD për të respektuar statutin që vetë e keni propozuar apo do merreni më vonë me proceset e brendshme?” – u pyet Berisha më tej nga gazetarët.

Kryedemokrati tha se “PD ka statutin dhe do t’i përmbahet atij, por ka disa parime eprore dhe një nga këto parime është vota e lirë e shqiptarëve. Kjo parti vazhdon betejën për votën e lirë të shqiptarëve”.

“Beteja për votën e lirë, është betejë që prevalon mbi të gjitha. Asgjë nuk mund të ndalë PD-në në këtë betejë”, tha Berisha. /j.p/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›