E Diel, 1 Nëntor 2026

Antikanabisi, asgjësohen 2400 rrënjë

  Operacioni për sekuestrimin e bimëve narkotike, në Gjirokastër dhe Tepelenë

GJIROKASTËR- Operacioni antikanabis ka asgjësuar 2400 rrënjë bimë narkotike, përgjatë fundjavës në qarkune Gjirokastrës. Asnjë kultivues nuk është identifikuar apo ndaluar nga policia, ndërsa zyrtarët deklarojnë se i gjithë territori i qarkut do t’i nënshtrohet kontrolleve. Kanë qenë dy operacione, të ndërmarra përkatësisht në Tepelenë e Gjirokastër të cilat kanë evidentuar lëndën narkotike.Sektori i Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Gjirokastër, në bashkëpunim me komisariatin e policisë Tepelenë, orët e vona të pasdites së të shtunës kanë mundur të ndërhyjnë në rrethin e Tepelenës. Në vendin e quajtur Gryka e Pihoit, në Përroin e Malit të Luzatit janë evidentuar 2 parcela të hapura rishtas për të kultivuar bimë narkotike, ndërsa të mbjella në to janë evidentuar 250 rrënjë bimë narkotike, prej të cilave disa u morën për ekspertizë dhe pjesa tjetër, për shkak të terrenit të vështirë dhe mungesës së rrugës automobilistike u asgjësua me anë të djegies. Ndërkaq, mesditën e djeshme, një tjetër aksion për asgjësimin e bimëve narkotike është fokusuar sërish në komunën Antigone, ku katër ditë më parë, u shkatërruan rreth 800 rrënjë bimë narkotike. Sipas burimeve zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër, bimët narkotike ishin kultivuar në një pyll, në dy parcela të hapura rishtas për këtë qëllim. “Në kuadër të fushatës kundër mbjelljes, kultivimit dhe përdorimit të bimëve narkotike, drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër, në bazë të investigimit të kryer gjatë kësaj faze mesditën e djeshme asgjësoi 1310 rrënjë kanabis sativa. Për shkak të pamundësisë së transportimit të të gjithë sasisë së drogës, pasi u mor një sasi e caktuar në cilësinë e provës materiale, pjesa tjetër u asgjësua në vend, duke u djegur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›