Vret aksidentalisht shokun me armën e të atit
SHKODËR- Kureshtja për armët ka marrë jetën e një të riu. Një 24-vjeçar ka mbetur i vdekur nga plumbat e kushëririt, njëherazi shokut të tij, që fill pas kësaj ngjarjeje aksidentale ka tentuar të vrasë veten. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 16.00 të ditës së djeshme, në fshatin Selcë të komunës së Kelmendit në Malësi të Madhe. Sipas zyrtarëve të policisë që hetuan nga afër ngjarjen, Petrit Bujaj, 24- vjeç, lindur dhe banues në fshatin Selcë të Kelmendit është qëlluar për vdekje nga kushëriri i tij, Gjergj Bujaj, banor i të njëjtin fshat. Përveçse me lidhje gjaku, dy të rinjtë ishin miq të ngushtë me njëri- tjetrin, ndaj edhe kanë kaluar bashkë ditën e djeshme. Pasi kanë shëtitur me një automjet “Benz”, në ngjyrë të kuqe, dy të rinjtë janë ulur në një lokal në fshatibn Selcë. E megjithëse nuk kanë konsumuar alkool, fatkeqësia ndodhi...
***
Sipas policisë, lokali ku ndodheshin dy të rinjtë është në katin e parë të një banese. “Petrit Bujaj dhe Gjergji konsumuan nga një pije freskuese dhe dolën jashtë”,-i ka pohuar policisë pronari i lokalit. Tek dera e lokalit, në rrethana ende të paqarta, 22-vjeçari Gjergj Bujajka patur një pistoletë në dorë dhe ka qëlluar me një plumb nga distancë e afërt Petrit Bujajn, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Sipas informacioneve nga fshati Selcë , por dhe atyre që policia thotë paraprakisht, mendohet se vrasja ka qenë aksidentale, ndërsa autori përpiqej t’i tregonte armën viktimës. Vdekja e Petrit Bujajt ka qenë e menjëhershme, ndërkohë që autori ka tentuar të qëllojë veten me armën që kishte në dorë.
***
Kanë qenë personat e pranishëm në vendin e ngjarjes që e kanë penguar autorin të ndëshkonte veten për atë që kishte bërë, duke i neutralizuar veprimet e tij dhe duke i marrë armën nga dora. Policia është nisur drejt vendit të ngjarjes për të kryer veprimet përkatëse dhe për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes. 22-vjeçariështë ndaluar nga polici i zonës, ndërsa viktima ka qëndruar për disa orë i vrarë tek tryeza ku ka qenë ulur, duke pritur ardhjen e policisë nga Shkodra për të kryer veprimet dhe ekspertizën përkatëse . Mësohet se babai i autorit të vrasjes është efektiv i policisë pyjore dhe mendohet se arma që mbante Gjergj Bujaj ka qenë e tij, por kjo mbetet për t’u verifikuar nga hetimet e mëtejshme. Kjo pohohet nga banorë të fshatit, të cilët tregojnë se autori Gjergj Bujaj i ka thyer kasafortën të atit dhe i ka marrë pistoletën, me qëllim që t’ua tregonte shokëve. Sipas banorëve të Selcës, si viktima ashtu edhe autori nuk kanë qenë djem problematikë e shqetësues dhe nuk kanë pasur ndonjë konflikt mes tyre.