E Martë, 3 Nëntor 2026

Mashtronte qytetarët duke marrë kredi në emër të tyre, në pranga 33-vjeçarja në Lezhë

TIRANË, 26 qershor /ATSH/ Një 33-vjeçare është arrestuar nga Policia në Lezhë pasi mashtronte qytetarët duke iu marrë kartat e identiteti nëpërmjet mashtrimit, duke u prezantuar si përfaqësuese e një shoqate bamirësie, me të cilat merrte kredi në emër të tyre.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Kredia”, Policia vuri në pranga D. C., 33 vjeçe, banuese në Tiranë. Arrestimi i saj u bë pas 16 kallëzimeve për këtë skemë mashtrimi.

Policia njoftoi se “nga hetimet dyshohet se shtetasja D. C. iu prezantohej shtetaseve me fëmijë të mitur, si përfaqësuese e një shoqate bamirësie për nëna me fëmijë të mitur, dhe iu merrte atyre të dhënat personale (foto të kartës së identitetit), duke iu premtuar pagesa mujore. Më pas, duke përdorur të dhënat e tyre, aplikonte dhe merrte kredi në institucione financiare”.

“Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dokumente bankare që pasqyrojnë transfertat e parave të përfituara nga kreditë, në një llogari që administrohej nga shtetasja D. C”, njoftoi Policia.

Policia tha se vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj skeme mashtrimi dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

/m.q//r.e//a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›