Rapaille: BEI ka investuar 11 miliardë euro në Ballkanin Perëndimor

TIRANË, 13 tetor/ATSH/ Drejtori i Operacioneve në Rajonin e Zgjerimit dhe të Fqinjësisë në Bankën Evropiane për Investime (BEI), Lionel Rapaille, deklaroi sot nga Tirana se BEI mbështet fuqimisht rrugën e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, ndërsa theksoi se procesi i zgjerimit është veçanërisht intensiv kur bëhet fjalë për reformat strukturore dhe për përfshirjen e kapitalit masiv.
Në fjalën e tij gjatë panelit “Mundësitë e investimeve në Ballkanin Perëndimor në kontekstin e ri gjeopolitik”, organizuar në kuadër të forumit dyditor të investimeve “BE – Ballkani Perëndimor”, Rapaille tha se BEI ka mbështetur në mënyrë të qëndrueshme këtë rrugë për shumë vite.
“Duhet të pranojmë se procesi i zgjerimit është mjaft intensiv. Gjatë 15 viteve të fundit kemi investuar 11 miliardë euro në mbështetje të vendeve të rajonit, duke kontribuar në dekarbonizimin e ekonomive, integrimin e rrjeteve të transportit dhe energjisë, si dhe në përpjekjet për të siguruar konvergjencë ekonomike e sociale, përmes investimeve në shëndetësi, arsim dhe sektorin privat”, u shpreh ai.
Rapaille theksoi se këto investime kanë dhënë rezultate konkrete dhe të prekshme.
“Kemi dhjetëra shkolla dhe spitale të ndërtuara, kilometra të tëra rrugësh të reja dhe mijëra vende pune që po krijohen në rajon,” deklaroi ai.
Drejtori i BEI vuri në dukje se mbështetja e ofruar nuk lidhet vetëm me vëllimin e financimeve që janë vënë në dispozicion deri më tani dhe që do të rriten për vendet që i afrohen BE-së, por edhe me mundësinë për të pasur në dispozicion instrumente të përshtatshme për kapitalizimin e sektorit privat.
Ai nënvizoi se paketa e instrumenteve financiare të Bashkimit Evropian është zgjeruar ndjeshëm, duke përfshirë mjete të reja mbështetëse të hartuara nga Komisioni Evropian, që synojnë të rrisin kapacitetin e vendeve të Ballkanit Perëndimor për të tërhequr dhe absorbuar investime në përputhje me objektivat e integrimit evropian.
/a.f/