Aplikacioni TEA, Rama: Guida digjitale e turizmit tashmë edhe për plazhet

TIRANË, 28 maj/ATSH/ Aplikacioni TEA këtë sezon veror ofron një përvojë të përmirësuar dhe më gjithëpërfshirëse për të gjithë ata që dëshirojnë të eksplorojnë bukuritë natyrore dhe kulturore të vendit.
Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale tha se “Aplikacioni TEA sjell një valë të re inovacioni për sezonin veror”.
“Të gjithë plazhet publike dhe private të Shqipërisë i gjeni me një klikim në telefonin tuaj, si asnjëherë më parë. Me aplikacionin TEA, zbuloni plazhet, shërbimet dhe eventet më të bukura për një verë pa kufij”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama i bëri thirrje qytetarëve dhe turistëve të shkarkojnë aplikacionin TEA.
“Shkarkoni falas TEA, guidën turistike 360˚ në App Store dhe Google Play, dhe çdo ditë e verës suaj do të jetë një aventurë e re”, tha Rama.
Versioni më i fundit i TEA-s, Guidës Digjitale 360° për turizmin në Shqipëri, përmban: informacion të detajuar mbi plazhet publike dhe private përgjatë të gjithë vijës bregdetare shqiptare; Imazhe, përshkrime dhe koordinata të sakta për secilin destinacion bregdetar; Mundësi raportimi të shkeljeve apo problematikave, duke e kthyer aplikacionin në një mjet bashkëpunues mes turistëve dhe institucioneve; Evente kulturore, sportive dhe tradite, për të promovuar dimensionin shumëplanësh të turizmit në Shqipëri; Shërbime utilitare, që ndihmojnë turistët në planifikimin dhe orientimin gjatë udhëtimit të tyre në Shqipëri.
TEA nuk është thjesht një aplikacion informativ. Ai përfaqëson një filozofi të re të zhvillimit të turizmit, të bazuar në teknologji, transparencë dhe përfshirje qytetare. Përdoruesit tashmë kanë një burim të besueshëm në telefonin e tyre, që jo vetëm i orienton drejt përvojave më të mira, por edhe i fuqizon për të ndikuar pozitivisht në përmirësimin e shërbimeve.
Duke ndërtuar ura midis trashëgimisë natyrore, kulturës dhe teknologjisë, Shqipëria po pozicionohet gjithnjë e më shumë si një destinacion inteligjent dhe mikpritës në hartën e turizmit ndërkombëtar.
/k.s/j.p/