BRUKSEL – BE dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nisin bisedimet për një marrëveshje të tregtisë së lirë

BRUKSEL, 28 maj /ATSH- DPA/- Bashkimi Evropian dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) kanë nisur negociatat për një marrëveshje dypalëshe të tregtisë së lirë, njoftoi sot Komisioni Evropian, në Bruksel.
Komisioneri i Tregtisë i BE-së, Maros Sefcovic, dhe ministri i Tregtisë së Jashtme i Emirateve të Bashkuara Arabe, Thani bin Ahmed Al Zeyoudi synojnë të arrijnë një marrëveshje në Dubai dhe ranë dakord për një plan veprimi, që do të fillojë në qershor.
Takimet fillestare do të përqendrohen në uljen e tarifave për mallrat dhe lehtësimin e shërbimeve, tregtisë digjitale dhe flukseve të investimeve.
Gjithashtu, do të shqyrtohen mënyrat se si të rritet tregtia në sektorë strategjikë, siç janë energjia e rinovueshme, hidrogjeni i gjelbër dhe lëndët e para kritike.
Sipas të dhënave të BE-së, eksportet nga Emiratet e Bashkuara Arabe përfshijnë naftë, gaz dhe metale bazë – ndërsa BE eksporton kryesisht automjete, makineri, produkte kimike dhe ushqime.
Emiratet e Bashkuara Arabe pritet të vendosin tarifa të larta për importin e duhanit, verës, pijeve alkoolike dhe ëmbëlsirave.
Tregtia aktuale arrin në rreth 55 miliardë euro (62 miliardë dollarë) në vit, me shërbime që arrijnë në rreth 39 miliardë euro.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se marrëveshja do të ndihmojë në forcimin e lidhjeve midis BE-së dhe rajonit të Gjirit.
Ajo tha se marrëveshja do të ofrojë mundësi të reja për bizneset e BE-së, ndërkohë që do të forcojë partneritetin në fusha që kanë rëndësi për qytetarët e BE-së, si energjia e rinovueshme dhe teknologjitë digjitale. //a.i/