Arbër Zenuni, arkitekt i muzeut në Krushë, humbi të atin në masakrën e pranverës-1999

Arbër Zenuni, arkitekt i muzeut në Krushë, e humbi të atin në masakrën e pranverës së vitit 1999. Ky objekt përmban të memorizuar një nga ngjarjet më dramatike të pranverës së ’99-ës, masakrën e Krushës.
Inxhinieri Arbër Zenuni e projektoi dhe e ndërtoi këtë muze si dëshmi për brezat.
Muzeu u financua nga Komuna e Rahovecit, ndërsa Arbri thotë se ka pasur bashkëpunim të ngushtë me profesorë të antropologjisë dhe teknikës në Universitetin e Prishtinës.
Ai ka zgjedhur formën e shqiponjës për ta bërë objektin jo vetëm pasqyrim të asaj ngjarjeje makabre, por edhe simbol të qëndresës dhe forcës njëkohësisht.
Arbri është diplomuar në Universitetin Politeknik të Tiranës, dhe ky muze është puna e tij e parë publike. Ai ishte vetëm 7 vjeç në mars të vitit 1999.
Në masakrën e Krushës humbi të atin, Haxhiun. Edhe pse në atë moshë të vogël, imazhet e ngjarjeve i ka të memorizuara.
Muzeu i Krushës është pjesë e kompleksit memorial të masakrës, në përkujtim të 25 dhe 26 marsit 1999, kur u vranë dhe u masakruan rreth 240 burra, gra, të moshuar dhe fëmijë nga Krusha, prej të cilëve 64 ende janë të pagjetur.
/rtsh.al/